Ndalimi për lëvizje në pyje vazhdon deri më 30 shtator, bëri të ditur pasdite Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave. Për mosrespektim është paraparë gjobë prej 1.500 deri 2.000 euro në kundërvlerë të denarit.
Nga Ministria u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes të veçantë me qëllim parandalimin e zjarreve në hapësira të hapura. Theksojnë se edhe periudhën që vijon nuk është ulur rreziku nga shfaqja e zjarreve në ambient të hapur dhe se qytetarët duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm, pasi për shkak të temperaturave të larta rreziku i shfaqjes së zjarreve në hapësira të hapura ende mbetet i madh.
“Është me rëndësi thelbësore që opinioni publik t’i kuptojë rreziqet, si dhe pasojat nga shfaqja e zjarreve në hapësira të hapura dhe me sjelljen e tij të kontribuojë në mbrojtjen dhe ruajtjen e pyjeve, pra të mjedisit jetësor, pronës dhe komuniteteve në tërësi”, thonë nga Ministria.
Sipas informacioneve të mëngjesit të Qendrës për Menaxhim me Kriza, janë regjistruar gjithsej 18 zjarre në ambient të hapur prej të cilave 13 janë shuar. Mbeten aktive dy zjarre, ndërsa tre janë vënë nën kontroll.