The Economist
Nga Meloni te Bardella, e djathta ekstreme mes moderimit dhe radikalizimit…
Fundjavën e kaluar, Elon Musk kaloi një vijë të kuqe duke marrë fjalën në një tubim në Londër të quajtur “Unite the Kingdom”. Organizuar nga Tommy Robinson, një kriminel i dënuar dhe predikues i urrejtjes kundër myslimanëve, ngjarja mblodhi mbi 100 mijë persona, mes tyre ekstremistë por edhe qytetarë të zakonshëm britanikë që zgjodhën të lidhen me një lëvizje të dhunshme e margjinale.
Musk tashmë ka ndërtuar lidhje me parti të forta të ekstremit të djathtë në mbarë Evropën, jo vetëm në Britani. Sipas tij, kontinenti rrezikon të “pushtohet nga myslimanët”, të përjetojë katastrofë demografike dhe të shtypet nga elitat e korruptuara.
Zgjidhja, sipas vizionit të tij, janë partitë “disruptive” që përfaqësojnë zërin e vërtetë të qytetarëve, kuptohet, të bardhë e të krishterë. Ashtu si shumë në Amerikë, Musk e imagjinon një lëvizje të tipit MAGA që do të mobilizojë kontinentin e vjetër.
Megjithatë, futja e të gjitha forcave të djathta ekstreme në një thes është mashtruese. Ato ndajnë urrejtjen ndaj emigracionit dhe gjithçkaje që lidhet me “woke”, prirjen për teori konspirative dhe një agresivitet ekstrem në rrjete sociale, sidomos në platformën X të vetë Musk. Por rrugët e tyre janë të ndryshme. Në Itali dhe Francë, e djathta ekstreme po tregon shenja moderimi ndërsa afrohet me pushtetin. Në Gjermani, Alternativa për Gjermaninë (AfD) po radikalizohet më tej, por mbetet larg qeverisjes. Britania është në një pikë kthese: tubimi në Londër tregoi se idetë ekstreme po normalizohen, ndërsa sistemi elektoral mund t’i japë krah ekstremit të djathtë.
Giorgia Meloni është e vetmja që ka arritur realisht pushtetin. Kur ajo u ngrit në sondazhe në vitin 2022, liberalët europianë u alarmuan se një kryeministre me rrënjë në post-fashizëm mund të ndezte luftë kulturore dhe të shkaktonte krizë ekonomike në BE. Por në qeverisje, Meloni është treguar pragmatike: ka qenë e ashpër, por jo hapur ksenofobe ndaj emigracionit të paligjshëm; nuk ka përdorur armën e kulturës përtej tentativave për të kufizuar barrëlindjen me nënë zëvendësuese; ka respektuar disiplinën fiskale, ka mbështetur Ukrainën kundër Rusisë dhe ka shmangur konflikt të hapur me Brukselin. Llogaria është e qartë: ekonomia italiane varet nga fondet evropiane, tregu i saj nga BE-ja dhe obligacionet nga Banka Qendrore Europiane.
Në Francë, Jordan Bardella, pasardhësi i Marine Le Pen dhe president i partisë së saj National Rally, po ndjek një rrugë të ngjashme. Ai, me një profil më të moderuar, po përpiqet të fitojë besimin e botës së biznesit përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027. Qëllimi i tij është t’i bindë se një presidencë e National Rally nuk do të thotë kolaps financiar apo krizë euroje. Nëse do të mbajë këtë premtim mbetet e paqartë, por vetëm fakti që kërkon të tërheqë establishmentin është një shenjë ndryshimi.
Në Gjermani, situata është krejt tjetër. AfD lulëzon sidomos në Lindje, ku mosbesimi ndaj shtetit është i thellë. Retorika e saj është ksenofobe dhe pro-ruse, dhe agjencia e inteligjencës së brendshme e ka klasifikuar si “ekstremiste e djathtë”. Megjithatë, “muri mbrojtës” i ngritur nga partitë kryesore, që refuzojnë çdo bashkëpunim me të, e ka mbajtur jashtë pushtetit. Edhe pse ka fituar terren në disa zgjedhje lokale, pa aleatë mbetet e paaftë ta kthejë protestën në pushtet real. Rezultatet e fundit në North Rhine Westphalia treguan kufijtë e saj: fitime të vogla, por pa përhapje përtej bazës lindore.
Britania, megjithatë, po shndërrohet në fushëbetejën e re. Nigel Farage, lideri i Reform UK, është distancuar nga Tommy Robinson dhe ekstremistët e dhunshëm, ai mungoi me mençuri në tubimin e Londrës. Por ndërsa pakënaqësia ndaj emigracionit rritet, retorika e Reform është radikalizuar, duke përfshirë propozime për deportime masive. Partia renditet në sondazhe me rreth 30%, shumë përpara rivalëve të tjerë. Sistemi elektoral britanik “fituesi merr gjithçka” mund ta kthejë këtë mbështetje në shumicë parlamentare, megjithëse zgjedhjet e ardhshme janë parashikuar për vitin 2029.
Edhe aty ku e djathta ekstreme po tregon shenja moderimi, vetëkënaqësia do të ishte gabim. Bardella ende flet ashpër kundër emigrantëve. Dhe përballja e vërtetë e Evropës me sfidat strategjike, mbrojtje të pamjaftueshme, konkurrueshmëri në rënie, mungesë inovacioni, kërkon më shumë integrim evropian, diçka që të gjitha partitë nacionaliste e të djathta ekstreme e kundërshtojnë.
Megjithatë, ka një dallim mes atyre që duan të shkatërrojnë sistemin dhe atyre që pranojnë të bëhen pjesë e tij për të qeverisur. Në Itali dhe ndoshta në Francë, e djathta ekstreme po zbulon se për të fituar dhe për të qeverisur, duhet të bësh kompromis. Politika e kontinentit nuk po shtypet nga një bllok monolitik. Ajo po ridizenjohet, në mënyrë të pabarabartë dhe, shpresojmë, më pak katastrofike sesa dëshiron Musk.