Lajme

Kryenegociatori ukrainas: Fundi i luftës me Rusinë, është afër!

Negociatori kryesor i Ukrainës me Rusinë vlerëson se bisedimet po i afrohen një marrëveshjeje, duke lënë të hapur mundësinë e përfundimit të luftës në një periudhë relativisht të shkurtër.

Kyrylo Budanov, këshilltar kryesor i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe ish-shef i kundërzbulimit ushtarak, deklaroi për Bloomberg se, pavarësisht progresit të kufizuar në nivel publik, negociatat po ecin drejt një kompromisi dhe se edhe Moska synon përfundimin e konfliktit. “Të gjithë e kuptojnë se lufta duhet të përfundojë. Për këtë arsye negociojnë. Nuk mendoj se do të marrë shumë kohë”, tha ai.

Budanov, i cili që nga janari drejton zyrën presidenciale, është figurë qendrore në bisedimet trepalëshe mes Ukrainës, SHBA dhe Rusisë, ndërsa luan rol të rëndësishëm edhe në shkëmbimet e të burgosurve. Pavarësisht kalimit në administratë, ai ruan gradën e gjeneral-lejtnantit, duke kombinuar perspektivën politike dhe ushtarake.

Tregjet reaguan pozitivisht ndaj deklaratave, me obligacionet ukrainase që u forcuan dhe euron që u rikuperua, ndërsa u ulën pritshmëritë për rritje agresive të normave të interesit nga Banka Qendrore Europiane.

Pavarësisht optimizmit, ai pranoi se të dyja palët mbajnë ende qëndrime “maksimaliste”, por vlerësoi se do të afrohen drejt një kompromisi. Ai theksoi gjithashtu se Rusia ka një motiv të fortë ekonomik për një marrëveshje, për shkak të kostos së lartë të luftës.

Çështja kryesore mbetet ajo territoriale, me Budanov që shmangu përcaktimin e një zgjidhjeje konkrete. “Nuk ka ende një vendim përfundimtar, por të gjithë tashmë kuptojnë kufijtë e së pranueshmes. Kjo është një përparim i madh”, u shpreh ai.

Më i rezervuar shfaqet Kremlini

Megjithatë, burime pranë Kremlinit duken më të rezervuara, duke folur për progres të kufizuar, kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve mbi garancitë e sigurisë për Kievin. Gjithashtu, arritja e një marrëveshjeje kërkon një konvergjencë më të gjerë mes SHBA dhe Europës, të cilat nuk kanë një qëndrim të përbashkët për rezultatin e luftës.

I vetmi zhvillim konkret deri tani mbetet shkëmbimi i qëndrimeve që vazhdojnë të jenë të papajtueshme mes palëve, sipas të njëjtave burime.

Në një lëvizje simbolike, Rusia dhe Ukraina ranë dakord për një armëpushim të shkurtër për Pashkë. Vladimir Putin urdhëroi ndërprerjen e operacioneve nga 11 deri më 12 prill, ndërsa Zelensky deklaroi se Ukraina do të “përgjigjet” në të njëjtën mënyrë.

Budanov theksoi se arritja kryesore e bisedimeve është mbajtja e SHBA si ndërmjetëse. Sipas tij, Kievi pret vizitën e të dërguarve të Shtëpisë së Bardhë, Steve ëitkoff dhe Jared Kushner, ndoshta brenda javës së ardhshme.

Çfarë kërkojnë dy palët

Ukraina kërkon garanci të qarta sigurie nga SHBA për të parandaluar agresionin e ardhshëm rus, çështje që pritet të dominojë bisedimet.

Moska kërkon tërheqjen e forcave ukrainase nga zona të Donetskut, edhe nga territore që nuk i kontrollon plotësisht, ndërsa Kievi favorizon ngrirjen e konfliktit në vijën aktuale të frontit. SHBA kanë propozuar krijimin e një zone të posaçme ekonomike në rajon.

Ukraina vazhdon të varet në masë të madhe nga mbështetja ushtarake dhe financiare e aleatëve të saj, kryesisht e Bashkimit Europian, ndërsa përballet me rrezikun e një boshllëku financiar në muajt e ardhshëm për shkak të vonesave në disbursimin e fondeve europiane.

Ndërkohë, ekonomia ruse është nën presion nga deficitet fiskale në rritje për shkak të shpenzimeve të larta ushtarake, megjithëse rritja e çmimeve të naftës ofron lehtësim të përkohshëm.

Pavarësisht avantazhit numerik të Rusisë në burime njerëzore, Budanov vlerësoi se kjo nuk përkthehet në përfitime të ndjeshme në terren, pasi Ukraina shfrytëzon inovacionet teknologjike, veçanërisht në luftën me dronë.

I pyetur për mundësinë e dështimit të negociatave, ai u përgjigj: “Ka vetëm dy zgjedhje, luftë ose paqe. Dhe jo thjesht vazhdim i luftës, por edhe i negociatave. Nëse bien dakord për këtë sepse mund edhe të mos bien dakord”. 

3sgIgLJ.png