Sipas llogaritjeve të Financial Times , bazuar në të dhënat e industrisë dhe vlerësimet e disa analistëve, Kremlini mund të gjenerojë një rritje të të ardhurave prej 3.3 deri në 4.9 miliardë dollarësh deri në fund të marsit.
Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme po krijon një efekt të drejtpërdrejtë në tregjet globale të energjisë, duke sjellë përfitime të konsiderueshme financiare për Rusinë. Sipas një analize të Financial Times, me rritjen e çmimeve të naftës dhe tensionet në rajon, të ardhurat e Kremlinit nga eksportet energjetike po rriten ndjeshëm.
Gazeta britanike vlerëson se Moska po përfiton rreth 150 milionë dollarë shtesë në ditë. Deri tani, Rusia mund të ketë siguruar tashmë midis 1,3 dhe 1,9 miliardë dollarë të ardhura shtesë nga taksat mbi eksportet e naftës, të cilat janë rritur ndërsa ngushtica strategjike e Hormuzit është destabilizuar nga minat iraniane.
Rritja e kërkesës po nxitet kryesisht nga India dhe veçanërisht nga Kina. Pekini ka humbur një pjesë të furnizimeve me naftë nga Venezuela pas ndërhyrjes amerikane dhe arrestimit të presidentit Nicolás Maduro.
Sipas Financial Times, këto llogaritje nuk përfshijnë të ardhurat shtesë që mund të vijnë nga vendimi i Departamentit të Thesarit të SHBA për të dhënë një përjashtim 30 ditor për vendet që dëshirojnë të blejnë produkte ruse të naftës të cilat janë tashmë nën sanksione.
Bazuar në të dhënat e sektorit dhe në vlerësimet e disa analistëve, Financial Times parashikon se Kremlini mund të gjenerojë midis 3,3 dhe 4,9 miliardë dollarë të ardhura shtesë deri në fund të marsit. Ky skenar mbështetet në supozimin se çmimi i naftës ruse Urals do të luhatet mesatarisht midis 70 dhe 80 dollarë për fuçi deri në fund të muajit, krahasuar me mesataren rreth 52 dollarë për fuçi gjatë dy muajve të mëparshëm.
Kjo situatë paraqet një kontrast të fortë me periudhën para përshkallëzimit të fundit të konfliktit. Para përplasjes së re mes SHBA dhe Izraelit me Iranin, Rusia po përballej me rënie të çmimeve të naftës dhe me reduktimin e shitjeve drejt Indisë për shkak të presionit të Uashingtonit.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, eksportet ruse të produkteve të naftës ranë me 11,4 për qind në shkurt, duke arritur në 6,6 milionë fuçi në ditë, niveli më i ulët që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022.
Analistët theksojnë se shumë do të varet nga kohëzgjatja e konfliktit në Lindjen e Mesme. Borys Dodonov, drejtues i studimeve për energjinë dhe klimën në Kyiv School of Economics, vlerëson se çmimet e larta të naftës do ta ndihmojnë Rusinë të përmbushë objektivat buxhetore për këtë tremujor dhe madje të krijojë një rezervë financiare.
Konflikti me Iranin mund t’i ofrojë gjithashtu Rusisë mundësinë të forcojë pozicionin e saj në tregjet energjetike në kurriz të vendeve të Gjirit, të cilat përballen me kufizime në rrugët kryesore të transportit.
Në këtë kontekst, Moska ka sinjalizuar edhe një hapje të mundshme drejt Evropës me oferta energjie, një lëvizje që vjen më shumë se katër vjet pas pushtimit të Ukrainës.
Sipas Vaibhav Raghunandan, analist për marrëdhëniet BE Rusi në Qendrën për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër, ndërprerja e trafikut në ngushticën e Hormuzit ka shkaktuar tronditje në tregjet globale të naftës dhe gazit, duke rrezikuar të largojë nga tregu rreth 60 milionë tonë naftë bruto dhe shtatë milionë tonë gaz natyror të lëngshëm çdo muaj.
Për të kompensuar mungesën e furnizimeve nga Lindja e Mesme, importet e Indisë dhe Kinës nga Rusia u rritën secila me rreth 22 për qind një javë pas fillimit të sulmeve ndaj Iranit, krahasuar me mesataren ditore të muajit shkurt.
Sergey Vakulenko, studiues në Carnegie Russia Eurasia Center në Berlin, vlerëson se nëse kriza zgjatet, konkurrenca për naftën ruse do të rritet ndjeshëm.
Ndërkohë, sipas të dhënave të institutit indian Kpler, sasia e naftës ruse që qëndronte e bllokuar në tankerë në det ka rënë me rreth 11 milionë fuçi, duke arritur në 125 milionë fuçi në fillim të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Aktualisht, nafta ruse tregtohet rreth 20 deri në 30 dollarë për fuçi më shtrenjtë se mesatarja e tre muajve të mëparshëm. Analistët e Kpler vlerësojnë se nafta ruse po shitet në Indi rreth pesë dollarë për fuçi mbi çmimin e referencës Brent, duke përmbysur zbritjet e mëparshme.
Sipas llogaritjeve të analistëve, çdo rritje me 10 dollarë e çmimit mesatar mujor të naftës gjeneron rreth 2,8 miliardë dollarë të ardhura shtesë për eksportuesit rusë të naftës. Nga kjo shumë, rreth 1,63 miliardë dollarë përfundojnë në buxhetin shtetëror përmes taksave.
Në rast se kriza zgjatet, Rusia mund të ketë mundësi të rrisë prodhimin e naftës. Aktualisht prodhimi i saj qëndron rreth 300 mijë fuçi në ditë nën kuotën e përcaktuar nga OPEC+.
Michael Moynihan, drejtor i kërkimeve për Rusinë në Wood Mackenzie, thekson se mbetet e paqartë deri në çfarë mase dhe për sa kohë Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatshme të zbusin sanksionet ndaj eksporteve ruse të naftës, veçanërisht për sa kohë vazhdon lufta në Ukrainë.
Megjithatë, sipas Sumit Ritolia, analist kryesor i Kpler në Nju Delhi, Rusia mbetet përfituesja kryesore e situatës aktuale.
Nga ana tjetër, sekretari amerikan i Thesarit Scott Bessent deklaroi në platformën X se pezullimi i përkohshëm i sanksioneve, i cili do të zgjasë të paktën deri më 11 prill për naftën që është tashmë në tranzit, nuk pritet të sjellë përfitime të konsiderueshme për Rusinë.

