Shkruar nga “Financial Times”
Si braktisja e vlerave humanitare nga fuqitë e mëdha, po i hap rrugën një epoke të re të pandëshkueshmërisë globale, ku ligji i forcës po zëvendëson mbrojtjen e civilëve dhe normat e sanksionuara që nga viti 1945…
Fotografia e një djali të keq-ushqyer rëndë në Gaza, u shndërrua në një imazh përcaktues të vitit që po lëmë pas. Ngjarje të tjera tronditëse, kanë ndodhur edhe më larg kamerave apo shqyrtimit të hollësishëm.
Ato përfshijnë mizoritë e raportuara nga Forcat Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë kundër civilëve në Darfurin Perëndimor, në shtetin e Sudanit. Pastaj është sulmi vdekjeprurës ndaj dy të mbijetuarve të një sulmi amerikan kundër një anijeje të dyshuar se merrej me trafik droge në Karaibe – video të cilën Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pit Hegset, refuzon që ta publikojë, por që mund të përbëjë një krim lufte.
Që të gjitha këto incidente nxjerrin në pah erozionin e ligjeve të të drejtave të njeriut dhe rregullave të luftës të hartuara për të mbrojtur civilët, të cilat demokracitë kanë synuar t’i zbatojnë, sado që në mënyrë të pjesshme, që nga viti 1945.
Mizoritë dhe abuzimet e tmerrshme të të drejtave të njeriut kanë vazhduar të përhapen gjatë dekadave të fundit. Por tërheqja e SHBA-së nga çështjet globale, si dhe nga premtimet e pas vitit 1945, e bën edhe më të përhapur mungesën e ligjit.
Rekordi i Amerikës ishte dypartiak edhe përpara rikthimit të Donald Trump në detyrë. Administrata Bajden – së bashku me shumë aleatë perëndimorë – dështoi për një kohë të gjatë të ushtronte presion mbi kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, që ky i fundit të frenonte taktikat brutale të forcave izraelite kundër palestinezëve në Gaza, ndërsa ato iu përgjigjën sulmit të tmerrshëm të Hamasit më 7 tetor 2023, që kishte synuar drejtpërdrejt civilët në Izrael.
Por mandati i dytë i Trump ka sjellë një tërheqje të habitshme nga një politikë e jashtme që përkrahte mbrojtjen e vlerave, edhe pse ndonjëherë zbatohej në mënyrë jo të qëndrueshme, në një politikë transaksionalizmi të pamëshirshëm.
Raportet vjetore të të drejtave të njeriut të Departamentit të Shtetit të SHBA-së në gusht 2025 nxorën në pah qasjen e re, duke lënë jashtë seksionet e mëparshme tepër të rëndësishme mbi shumë liri themelore.
Raporti i tij shumë i shkurtuar mbi Izraelin, Bregun Perëndimor dhe Gazën nuk përmendi fare krizën humanitare dhe numrin e të vdekurve në Rrip. Raportet ishin dukshëm më të “sheqerosura” për aleatët e Trump, si El Salvadori dhe Arabia Saudite.
Zbehja e respektimit të ligjeve ndërkombëtare të luftës ka bërë që akuzat për urinë të përdoren si taktikë, dhe jo vetëm në Gaza dhe Sudan. Fëmijët vuajnë më shumë kudo. Të dhënat e fundit tregojnë se ky vit do ta tejkalojë 2024-ën si viti më vdekjeprurës dhe më i dhunshëm për fëmijët në konflikt që nga fillimi i monitorimit të OKB-së në vitin 2005.
Edhe ky vit është në rrugën e duhur për të qenë më vdekjeprurësi për punonjësit humanitarë, ku shpesh autorë të masakrave janë ushtritë e rregullta shtetërore. Megjithatë, përveç grupeve ndërkombëtare të ndihmës dhe të të drejtave të njeriut, ka edhe të tjerë që janë ende të përgatitur të luftojnë për të mbrojtur civilët.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), e cila gjykon shkeljet e traktateve siç është Konventa e Gjenocidit e vitit 1948, dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP), e cila ndjek penalisht individë për krime lufte, gjenden sot nën një presion të madh.
SHBA-të e drejtuara nga Trump kanë vendosur sanksione ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të GJNP-së për përfshirjen e tyre në një çështje kundër Izraelit që përfshinte një urdhër arresti për Netanjahun. Por gjykatat ndërkombëtare po ia dalin ende të funksionojnë.
Ato e kanë rritur profilin e tyre dhe po dalin në skenë si një fortesë e një sistemi të bazuar në rregulla. Një seancë e rëndësishme dëgjimore në GJND nis në janar mbi padinë e Gambias, e cila pretendon se trajtimi i Mianmarit ndaj komunitetit etnik pakicë Rohinga ka shkelur Konventën e Gjenocidit.
Kjo do të hapë rrugën për padinë e Afrikës së Jugut, e cila pretendon se forcat izraelite kanë shkelur të njëjtën konventë në Gaza. Ndërkohë, një numër i habitshëm ligjvënësish amerikanë nga të dyja partitë kanë kërkuar hetime jo vetëm për sulmin ndaj anijes në ujërat e Karaibeve në shtator, por edhe për ligjshmërinë e përdorimit të forcave ushtarake amerikane kundër trafikut të drogës.
Ndërkohë ka pasur shenja shqetësimi midis vendeve në zhvillim, të cilat kryesisht nuk kishin arritur t’i bashkoheshin dënimit perëndimor të pushtimit të Rusisë, mbi propozimet e fundit të paqes të SHBA-së që sugjeronin njohjen e disa territoreve të pushtuara nga Rusia në Ukrainë. Një samit i Bashkimit Afrikan me BE-në në nëntor u zotua të mbështeste sovranitetin dhe integritetin territorial dhe bëri thirrje për një paqe “të drejtë”.
Vendet më të vogla të Jugut Global i kuptojnë, njëlloj si demokracitë më të pasura të Evropës dhe Azisë, rreziqet e botës së parimit “fuqia bën të drejtën” që Trump duket se e përqafon. Por për momentin, ky është rendi global, sado i paimagjinueshëm që mund të dukej vetëm një dekadë më parë.
