Kosova 1999 tregoi si bëhet paqja, Gaza 2025 po tregon si dështon
Vetëm 10 ditë pas ndërmjetësimit nga presidenti amerikan Donald Trump, marrëveshja 20-pikëshe për paqe në Gazë duket se po shkon drejt dështimit. Në vend që të dorëzojnë armët dhe të largohen nga skena politike, militantët e Hamasit janë rishfaqur, po ekzekutojnë rivalë palestinezë dhe po rimarrin kontrollin në zona ku ushtria izraelite është tërhequr. Izraeli akuzon Hamasin për sulme ndaj ushtarëve të tij, ndërsa Hamasi deklaron se Forcat Mbrojtëse Izraelite po vijojnë bombardimet ajrore. Të dyja palët kanë të drejtë. Ndërkohë, Izraeli refuzon të rihapë pikën kufitare të Rafahut, siç kërkohej në marrëveshje.
Problemi thelbësor është se as Hamasi dhe as qeveria izraelite nuk ishin të kënaqura me marrëveshjen, në të cilën u shtynë të firmosin përmes presionit ndërkombëtar. Duke qenë se që në fillim të dy palët shprehën se nuk kishin ndërmend të zbatonin kushtet kryesore, pyetja nuk është “pse po e thyejnë marrëveshjen”, por “si është e mundur që mund t’ia hedhin kaq lehtë?”
Për të kuptuar këtë, mjafton të shohim një model që ka funksionuar më parë: misioni paqeruajtës KFOR në Kosovë, i krijuar në vitin 1999 dhe që vijon ende sot.
Nuk është rastësi që plani 20-pikësh i Trump përfshinte struktura pasluftës të ngjashme me ato të propozuara nga ish-kryeministri britanik Tony Blair, i cili luajti një rol kyç në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë për të ndaluar spastrimet etnike nga Ushtria Jugosllave e Millosheviçit. Ajo që ndodhi më pas, vendosja e forcës shumëkombëshe KFOR dhe një administratë e përkohshme e OKB-së, është ndoshta modeli më i përshtatshëm për Gazën sot.
Ndryshe nga misionet e zakonshme të OKB-së, NATO nisi përgatitjet për ndërhyrje tokësore në Kosovë shumë përpara se të arrihej armëpushimi. Në qershor 1999, vetëm dy ditë pas përfundimit të bombardimeve dhe miratimit të rezolutës për KFOR-in, trupat hynë në Kosovë. Forcat e para ishin njësi speciale, të gatshme për çdo skenar.
Sigurisht, nuk ka barazi të plotë midis rasteve: Netanjahu nuk është Millosheviç, IDF nuk është JNA, dhe Hamasi nuk është UÇK. Por ekzistojnë paralele të qarta: popullsi të vogla, konflikte me rrënjë të thella etnike dhe fetare, pretendime për spastrim etnik dhe një paqe e brishtë, e rrezikuar nga hakmarrja dhe rikthimi i forcave në pushtet.
Edhe në Kosovë, UÇK refuzoi fillimisht të dorëzonte armët, pavarësisht aleancës me NATO-n. Po ashtu përpjekjet për çarmatimin u kontestuan edhe nga Serbia dhe Rusia. Por pa praninë e menjëhershme të 50 mijë trupave të KFOR-it, situata do të kishte degjeneruar më tej.
Ndryshe nga ajo përgatitje, elementi i paqeruajtjes në marrëveshjen e Trump për Gazën mbetet në letër, me planifikim që nisi shumë vonë. Në vend të organizimit të një misioni të besueshëm ndërkombëtar, Trump humbi muaj të tërë me ide të papërgjegjshme për ta shndërruar Gazën në një “Las Vegas” të Mesdheut, të zbrazur nga palestinezët, një fantazi që u pëlqeu ekstremistëve izraelitë, por u refuzua menjëherë nga udhëheqësit arabë.
Vetëm në shtator filloi një qasje më serioze, pasi Netanjahu e vuri Trumpin në siklet duke bombarduar Katarin. Por atëherë ishte shumë vonë për të ndërtuar një forcë paqeruajtëse që do të ndërhynte menjëherë.
Sot po diskutohet një forcë e re ndërkombëtare për Gazën, e autorizuar nga OKB-ja, por jo e drejtuar prej saj – që do të udhëhiqet nga Egjipti dhe do të përfshijë trupa nga vende myslimane si Azerbajxhani dhe Indonezia. Ky format ndjek mësimet e KFOR-it: të zgjedhësh trupa nga vende që gëzojnë besimin e popullsisë vendase dhe të pajisen me mandat të qartë, armë të mjaftueshme dhe rregulla të forta angazhimi.
Trumpi nuk kishte as përgatitjen, as vizionin strategjik të Blair. “Artin e marrëveshjes” e aplikoi mbi një konflikt që kërkonte artin e zbatimit. Kjo nuk do të thotë se armëpushimi ka dështuar plotësisht, por nëse Egjipti do të vendosë realisht një forcë në Gazë, duhet të mësojë nga përvoja e Kosovës, dhe të veprojë me vendosmëri për të mbushur vakumin e sigurisë. Rafahu është vendi i duhur për të filluar. Dhe koha po mbaron. /Përshtati “Pamfleti” nga “Bloomberg”