Bashkimi Evropian thekson nevojën për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e partneritetit strategjik mes Unionit dhe Ballkanit Perëndimor. Kjo thuhet në Deklaratën e Samitit të përbashkët BE-Ballkani Perëndimor, ku u theksua se e ardhmja e rajonit është në Bashkimin Evropian dhe se zgjerimi është një mundësi që duhet shfrytëzuar. Në deklaratë theksohet edhe nevoja për përmbushjen e obligimeve të vendit tonë.
“Bashkëpunimi rajonal gjithëpërfshirës, pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore mbeten thelbësore për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët, si dhe për zbatimin me vullnet të mirë dhe me rezultate konkrete të marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë”, thuhet në deklaratën e BE-së.
Në Samitin e BE-së, mesazh erdhi edhe nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Koshta, i cili theksoi se Maqedonia e di se çfarë duhet të bëjë.
“Sa i përket Maqedonisë së Veriut, i përshëndesim hapat për forcimin e ndërlidhjes rajonale dhe shpresojmë në përparim të vërtetë në vitin 2026. Autoritetet e saj e dinë se çfarë duhet të bëjnë”, tha Antonio Koshta, president i Këshillit Evropian.
Kryeministri Mickoski, i cili mori pjesë në Samit, deklaroi se Qeveria po i ndërmerr të gjitha reformat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe se vendi e ka merituar anëtarësimin shumë kohë më parë, por për arsye artificiale ende nuk mund të bëhet pjesë e BE-së.
“Si shtet dhe si Qeveri, obligohemi t’i realizojmë të gjitha ato që janë të nevojshme në këtë proces, jo për vetë procesin, por mbi të gjitha për qytetarët e Maqedonisë, sepse ata e meritojnë këtë. Kështu kemi vepruar deri tani dhe kështu do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Presim që çështjet bilaterale të mos jenë pengesë, por përkundrazi, presim mbështetje nga fqinjët tanë në këtë ambicie që të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian, dhe ajo që është më e rëndësishme, të vlerësohemi sipas arritjeve dhe jo sipas çështjeve bilaterale”, tha Mickoski.
Kryeministri bullgar Rosen Zheljaskov theksoi se Bullgaria nuk ka çështje të pazgjidhura me Maqedoninë. Ai shtoi se çdo vend anëtar duhet të vlerësohet sipas përparimit të vet, por se te Maqedonia vëren hezitim.
