Lajme

Kos: Zgjerimi i BE-së është prioritet strategjik, përfiton edhe Shqipëria

Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka dhënë lajme shumë pozitive lidhur me procesin e zgjerimit të BE-së.

Në një postim në X, ajo njoftoi se negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, Moldavinë, Malin e Zi dhe Ukrainën po përparojnë me ritme më të shpejta se kurrë më parë, duke shënuar një fazë të rëndësishme në rrugën drejt integrimit evropian.

Në përputhje me këtë përparim, propozimi i fundit i buxhetit të Bashkimit Evropian reflekton një angazhim të fortë për të mbështetur këto vende në rrugën e tyre.

Buxheti parashikon një rritje prej 37% të fondeve të dedikuara për rajonet e zgjerimit dhe fqinjësisë, duke theksuar rëndësinë e një asistence të fuqishme financiare dhe institucionale.

Një pjesë kyçe e këtij buxheti është edhe ndihma prej 100 miliardë eurosh e dedikuar për Ukrainën.

Kos e cilëson si një buxhet modern i hartuar për të ardhmen.

Më herët ajo është shprehur se Shqipëria është angazhuar seriozisht në procesin e zgjerimit, ndërsa BE-ja po e ndjek këtë proces në bazë të meritave.

“Vazhdojmë të mbajmë një fokus shumë të fortë te reformat në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit”, deklaroi Kos, duke nënvizuar se progresi i shpejtë i Shqipërisë është një sinjal i qartë i mbështetjes dhe përkushtimit të BE-së.

Ajo shtoi se BE-ja do të qëndrojë pranë Shqipërisë dhe kërkoi angazhim të shtuar për realizimin e objektivit të qeverisë shqiptare për mbylljen e të gjitha kapitujve të negociatave deri në vitin 2027.

Më tej, Kos theksoi se “nga Shqipëria pritet të konsolidojë më tej progresin shumë të mirë në këtë drejtim”.

“Përparimi i shpejtë në negociatat e anëtarësimit është një sinjal i qartë se ne qëndrojmë pranë Shqipërisë dhe jemi sinqerisht të përkushtuar për të përcaktuar një rrugë të qartë drejt anëtarësimit në BE. Zgjerimi është një projekt gjithëpërfshirës për shoqërinë dhe do të kërkohet angazhim i plotë nga e gjithë shoqëria shqiptare”.

Kjo, “për të arritur objektivin ambicioz, por realist, të mbylljes së të gjitha kapitujve të negociatave deri në fund të vitit 2027”.

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png