Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke theksuar ritmin e lartë me të cilin janë hapur dhe mbyllur kapituj gjatë muajve të fundit.
“Në 10 muajt e fundit kemi hapur më shumë grupkapituj se sa në 5 vitet e fundit dhe kemi mbyllur më shumë kapituj se sa në 10 vitet e fundit. Kështu që kemi çelur dy grupkapituj të tjerë për Shqipërinë këtë vit”, u shpreh Kos.
Ajo shtoi me humor se arritjet do të shoqërohen edhe me një festim simbolik.
“Me Edin ramë dakord që do të festojmë, së pari në Bruksel, dhe vitin tjetër me një ndeshje futbolli midis vendeve kandidate dhe shteteve anëtare në Tiranë, kuptohet që Presidenti i UEFA-s do të luajë me ne, e po kështu edhe disa të tjerë”.
Kos nënvizoi gjithashtu se edhe Mali i Zi po ecën përpara në proces, duke shtuar se nëse negociatat përfundojnë në vitin 2026 në aspektin teknik, atëherë deri në vitin 2028 mund të kemi 28 anëtarë të BE-së.
“Dhe në qoftë se Edi vazhdon të bëjë atë që po bën në mënyrë të shkëlqyer, atëherë në 2029 mund të kemi 29 anëtarë. Kështu që shpejtoni”, deklaroi eurokomisionerja.
Kryeministri Rama mori pjesë në edicionin e 20-të të Forumit Strategjik të Bledit, ku udhëheqës politikë, diplomatë dhe ekspertë ndërkombëtarë diskutuan mbi të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe rolin e shteteve në këtë proces.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se Shqipëria ka mbajtur gjithmonë një qëndrim të palëkundur për t’u bërë pjesë e BE-së, duke e cilësuar vendin si një “ndjekës besnik” të Unionit.
“Besnikëria jonë ndaj Evropës nuk është kurrë në dyshim. Politika jonë e jashtme është 100% e harmonizuar me politikën e jashtme të BE-së. As nuk jemi lëkundur dhe as nuk e kemi vënë ndonjëherë në dyshim. Kur themi se jemi me Evropën, jemi deri në fund”, u shpreh Rama gjatë një paneli ku ishte i ftuar.
Duke iu referuar qasjes kritike që vende të ndryshme anëtare kanë herë pas here ndaj Brukselit, Rama nënvizoi se Shqipëria nuk ka asgjë për të humbur në këtë raport dhe se zëri i saj është gjithmonë pro-integrimit.
“Nëse kryeministri slloven do të thoshte hapur çfarë mendonte për Brukselin, do të kishte shumë për të humbur. Ne nuk kemi. Ne duhet të jemi të hapur, të shprehim lirisht mendimin, por mbi të gjitha, të qëndrojmë të vendosur për integrimin tonë”, tha ai.
Kryeministri shtoi se Shqipëria gëzon mbështetje të qartë për anëtarësim nga kryekomisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, duke theksuar se shpreson që dakordësia të jetë e njëjtë edhe nga vendet e tjera partnere.
Forumi i Bledit, që këtë vit shënon edicionin e 20-të, është një prej platformave më të rëndësishme të dialogut strategjik në Evropën Qendrore e Juglindore, ku trajtohen sfidat e sigurisë, integrimit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Ai po ashtu bëri një krahasim të fortë për gjendjen e Bashkimit Europian, duke thënë se Unionit i mungon kohezioni dhe se vendet anëtare shpesh e komplikojnë funksionimin e tij.
“Evropa është si një pacient me 27 mjekë, të gjithë patologë, që e bën më të ndërlikuar që të trajtohen problemet e çdo organi. Ata që janë brenda BE duhet të përpiqen të jenë më të lumtur, sepse është një vend shumë i mirë për të gjithë. Problemet nuk lidhen me faktin që Evropa është një bashkim, por me faktin që ky bashkim duhet të jetë më i fortë. Pra, këta ‘patologët’ duhet të specializohen, dikush të jetë kardiolog, dikush tjetër specialist i një fushe tjetër. Në të kundërt, do të kemi një rënie të pashmangshme,” tha Rama.