Lajme

Kopshtaria, një terapi e fshehtë që mund të forcojë mirëqenien mendore  

Nga ulja e stresit tek përmirësimi i humorit – shkenca tregon se lëvrimi i tokës është më shumë sesa thjesht hobi

Shumë njerëz e përshkruajnë kopshtarinë si një ndjenjë çlirimi shpirtëror: aroma e tokës së lagur, cicërimat e zogjve, kënaqësia e shikimit të bimëve që rriten. Edhe pse kërkon lodhje fizike – djersitje, përkulje dhe përpjekje – puna në kopsht shpesh shoqërohet me qetësi dhe gëzim. Sot, shkenca konfirmon se kjo nuk është vetëm ndjesi subjektive, por një e vërtetë e matshme. Sipas një raportimi të Associated Press, ekziston një fushë e tërë e quajtur terapi hortikulturale, e cila përdor “aktivitete të bazuara në bimë dhe kopsht” për të mbështetur njerëzit me nevoja të identifikuara trajtimi.

“Studimet sugjerojnë se 20-30 minuta kopshtari disa herë në javë mund të reduktojnë stresin dhe të përmirësojnë gjendjen shpirtërore, me përfitime që rriten sa më rregullisht të angazhohemi”, thotë Sarah Thompson.

Sigurisht, thjesht të qenit në natyrë mund të përmirësojë humorin dhe të rikthejë fokusin, por “angazhimi aktiv në kujdesin e bimëve, marrja e vendimeve dhe shikimi i rezultateve me kalimin e kohës, sjell një ndjesi kuptimi dhe kënaqësie që koha pasive jashtë nuk e jep”, shpjegon Thompson. Kopshtaria, ka treguar se lehtëson simptomat e ankthit dhe depresionit, duke nxitur ndjenja qetësie, qëllimi dhe arritjeje. Një studim i fundit në Universitetin e Kolorados në Boulder e mbështet këtë. Studiuesit u dhanë një grupi pjesëmarrësish një kurs udhëzues, fara, fidanë dhe një parcelë në kopsht komunitar, ndërsa një grup tjetër u kërkua të mos merrej me kopshtari për dy vjet.

Grupi i kopshtarëve raportoi lidhje më të forta shoqërore, nivele më të ulëta stresi dhe një rritje prej 7% të konsumit të fibrave – faktorë që ndihmojnë në uljen e rrezikut nga depresioni, tensioni i lartë, diabeti i tipit 2 dhe kanceri. Ata gjithashtu raportuan 42 minuta më shumë aktivitet fizik çdo javë, ndryshim që nuk u pa tek grupi i dytë.

Studime të mëparshme kanë arritur në përfundime të ngjashme. Në vitin 2020, studiues nga Universiteti i Exeter dhe Shoqata Mbretërore Hortikulturale në Britani zbuluan se shëndeti dhe mirëqenia e kopshtarëve ishte e krahasueshme me atë të banorëve në komunitetet më të pasura, krahasuar me ata që jetonin në zona më të varfra.

3sgIgLJ.png
KddZqn1.gif