Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për kryetar të Komunës së Tetovës, Bajram Rexhepi, ka denoncuar publikisht kontratën 15-vjeçare të nënshkruar nga Komuna e Tetovës me një operator privat për ndriçimin publik, duke e quajtur atë “një nga kontratat më të turpshme dhe skandaloze ndonjëherë”. Sipas Rexhepit, kontrata e nënshkruar më 17 nëntor 2023 parashihte që operatori privat të zëvendësonte 8.720 llamba ekzistuese me llamba smart LED brenda 6 muajve. “Afati ka kaluar prej kohësh, por Tetova ende nuk ka ndriçim të modernizuar, ndërsa qytetarët vazhdojnë të paguajnë faturat si më parë”, tha Rexhepi.
Nga taksa e ndriçimit publik, tha ai, mblidhen rreth 12 milionë denarë në muaj, por 85% shkon në xhepat e kompanisë private, vetëm 15% mbetet për Komunën.
“Kjo i bie 144 milionë denarë në vit ose 2,34 milionë euro, prej të cilave gati 2 milionë euro shkojnë çdo vit për kompaninë private Brenda periudhës 15-vjeçare, kompania do të inkasojë mbi 29 milionë euro, ndërkohë që investimi i saj fillestar ka qenë vetëm 4,4 milionë euro Kjo është një skemë e pastër pasurimi mbi kurrizin e qytetarëve të Tetovës”, theksoi Rexhepi, ndërsa listoi tre arsye kryesore pse kjo kontratë është e papranueshme
“Rreziku i rritjes së çmimit të energjisë – faturën shtesë e paguajnë qytetarët, ndërsa fitimi i mbetet kompanisë. Monopol 15-vjeçar i garantuar – i bllokon qytetarët te një operator i vetëm, duke mbyllur rrugën për teknologji më të reja. Pasuria publike në rrezik – pajisjet kalojnë në pronësi të komunës vetëm pas 15 vitesh, ndërkohë që rrjeti i ndriçimit kontrollohet nga një kompani private”. Ai shtoi se kontrata madje lejon transferimin e saj nga një kompani tek një tjetër, me pëlqimin e komunës. “Ndriçimi publik i Tetovës kthehet në mall tregu mes operatorëve privatë. Kjo është e papranueshme”, tha Rexhepi.