Kolesteroli i ashtuquajtur i keq, tipi LDL (lipoproteinat me dendësi të ulët), i cili transporton kolesterolin nga mëlçia drejt indeve të trupit, kur është i pranishëm në sasi të tepërt, priret të depozitohet në muret e arterieve duke shkaktuar bllokime që rrezikojnë të çojnë në sëmundje kardiovaskulare siç janë iktusi (goditje ne tru) dhe infarkti. Një zbulim i ri i realizuar nga një ekip italian duket se mund të revolucionarizojë luftën kundër kolesterolit të keq.
Ky studim u zhvillua nga Azienda Ospedaliera Ordine Mauriziano e Torinos dhe u prezantua në ESC të Madridit, një kongres prestigjioz ndërkombëtar i kardiologjisë, ku morën pjesë mbi 40 mijë specialistë nga e gjithë bota. Studiuesit zbuluan ekzistencën e një antitrupi monoklonal të aftë për të ulur kolesterolin e keq dhe pllakat karotide, duke sjellë një reduktim shtatë herë më të madh të rrezikut nga infarkti, iktusi dhe ngjarje të tjera vaskulare.
Rasti i parë
Studimi nisi nga një rast i vitit 2016 i një pacienti torinez 78-vjeçar, i ndjekur nga doktoresha Tiziana Claudia Aranzulla, që kishte një stenozë karotide prej 70%. Stenoza karotide është një ngushtim i arterieve karotide, të cilat kalojnë në qafë dhe dërgojnë gjakun në tru. Pllakat e shkaktuara nga teprica e kolesterolit të keq bllokojnë këto arterie, duke rritur ndjeshëm rrezikun e infarktit, iktusit dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Për të shmangur ndërhyrjen kirurgjikale, pacienti u trajtua me terapi monoklonale, dhe stenoza iu ul me 55%, duke e evituar kështu operacionin. Ky rast hapi rrugën për kërkimin shkencor të quajtur Caruso (CARotid plaqUe StabilizatiOn and regression with Evolocumab), te mbi 170 pacientë me stenozë karotide ≥ 50% dhe kolesterol LDL-C ≥ 100 mg/dl.

Rezultatet e studimit
Në prezantimin e saj në Madrid, doktoresha Aranzulla shpjegoi se një grup pacientësh u trajtuan me të njëjtin antitrup monoklonal të quajtur Evolocumab, i aftë të bllokojë proteinën PCSK9, e cila pengon mëlçinë të largojë kolesterolin LDL. Brenda një viti, ky grup pa një ulje prej 73.5% të kolesterolit të keq, ndërsa pacientët që morën trajtimin standard patën një ulje prej 48.3%. Për më tepër, te pacientët e trajtuar me Evolocumab pati një ulje të pllakave prej 68.4%, kundrejt 63.5% të terapisë tradicionale, si dhe vetëm 2.4% raste të ngjarjeve kardiovaskulare negative, krahasuar me 14.4% te grupi tjetër.
Në bazë të këtyre të dhënave, studiuesit konfirmojnë se antitrupi monoklonal mund të bëhet metoda standarde e trajtimit për pacientët me stenozë karotide ≥ 50%, duke ndihmuar në uljen e rreziqeve të infarktit ose iktusit të shkaktuara nga teprica e kolesterolit të keq.