
Nga Kim Mehmeti
Përfaqësuesi i VLEN’it si koordinator në kabinetin e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut e paska akuzuar Kryeministrin e Shqipërisë se me megafonat e tij në Shkup vepron si i tërbuar për ta dëmtuar VLEN’in dhe dinjitetin e shqiptarëve të Maqedonisë.
Që do të thotë se dinjitetin kolektiv të shqiptarëve të këtushëm e barazon me atë të atyre që atë fare nuk e kanë – të dhjetëra drejtuesve interesxhinj të VLEN’it?!
Në të vërtet ky nuk është rasti i parë kur dikush i mbron shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nga Tirana zyrtare, ngaqë ka muaj që një gjë të tillë rregullisht e bënë ‘gjyshi’ këshilltar shqiptar i ‘tezes’ presidente, që edhe paguhet vetëm për ta mbrojtur Maqedoninë nga shqiptarët dhe për të qenë sa më i pëlqyer për punëdhënësen e vet.
Autori i këtij teksti është nga ata që natë e ditë i kritikon Kryeministrin e Shqipërisë dhe drejtuesit e BDI-së, por edhe si i tillë kurrë nuk e kishte paramenduar se do vinte koha kur shqiptarët e këtushëm dikush do i mbronte si gjatë dekadave komuniste jugosllave kur të gjitha të ‘këqijat’ atyre u vinin nga Tirana e Prishtina?!
Këta që thonë se Tirana zyrtare është duke dëmtuar interesin dhe dinjitetin e shqiptarëve të Maqedonisë Veriore bëjnë një gabim që nuk u ka hije politikanëve me sado pak mend në kokë: interesin dhe dinjitetin e shqiptarëve të këtushëm e barazojnë me atë të dhjetëra VLEN’istëve?!
Por cili është ky interes? Merreni, për shembull, Alternativën dhe do vëreni se interesi dhe dinjiteti i saj nis e përfundon me atë të pesë -gjashtë aktivistëve të saj, të cilët kur nuk janë drejtorë të LSDM’së janë ministra të VMRO-DPMNE’së.
Apo, merrni ata të BESËS dhe do vëreni se gjithë interesi dhe dinjiteti i shqiptarëve të Maqedonisë përmyllet me atë të dhjetëra anëtarëve të ‘Klanit të Llërcës’, të cilët kur është e fort LSDM’ja bëjnë koalicion me të, e kur ajo dobësohet i shërbejnë VMRO’së!
Nuk ka dyshim se duhet të jesh mbi mesataren jo korrekt e të thuash se në BDI gjërat funksionojnë ndryshe. Por megjithatë ka një dallim; BDI-ja është si ‘sipërmarrje’ e madhe aksionarësh e ku çdo komunë ka me dhjetëra hajdutët e vet, ndërkaq VLEN’i është sekte ku e gjitha përfundon në xhepat e dhjetëra sektashëve të saj.
Siç i dallon edhe ajo se sektashët e VLEN’it shkojnë nëpër xhamia për ta fshehur tytyrën e hajdutit e këta të BDI’së, veshin pallto firmato dhe, për të njëjtin qëllim, shkojnë nëpër ambasadat perëndimore.
Por ka diçka që i barazon sektashët e VLEN’it dhe drejtuesit e BDI’së: ata nuk e kanë kuptuar se nëse nuk e zgjedhim fytyrën e lindjes, ne e përcaktojmë saktë fytyrën me të cilën plakemi dhe me të cilën do të vdesim.