Edhe në prani të aleatëve të afërt, si presidenti rus, Kim Jong-un duket se nuk heq dorë nga masat ekstreme për vetëmbrojtje gjatë udhëtimeve jashtë vendit.
Pamje të publikuara në një kanal rus në Telegram tregojnë stafin e tij personal duke ‘zhdukur çdo gjurmë’ të pranisë së liderit në ambientin ku u zhvilluan bisedimet në Pekin.
Ata u filmuan duke larguar gotën nga e cila ai kishte pirë dhe duke fshirë me kujdes – me letra të lagura – karrigen dhe çdo pjesë mobiljeje që Kim kishte prekur.
Sipas analistëve, sjellje të tilla nuk janë të reja për Kim-in, i cili prej kohësh vuan nga një kompleks përndjekjeje dhe frikë ndaj tradhtisë së brendshme.
Më parë është raportuar se disa përpjekje për atentat ndaj tij janë organizuar – përfshirë një rast të përfolur ku CIA dyshohej si e përfshirë.
Në tetor të vitit të kaluar, Shërbimi Informativ i Koresë së Jugut raportoi para parlamentit se njësitë e sigurisë së Kim-it kanë shtuar ndjeshëm masat mbrojtëse, duke përfshirë pajisje për bllokimin e komunikimeve dhe sisteme për zbulimin e dronëve.
Megjithatë, agjencia theksoi se nuk kishte një kërcënim të drejtpërdrejtë në atë kohë, por Kim vazhdonte të bënte paraqitje publike gjithnjë e më të shpeshta.
Udhëtimet e Kim-it jashtë vendit shoqërohen gjithmonë nga një operacion i ndërlikuar sigurie, i cili zakonisht nuk bëhet publik.
Edhe në Pekin, detajet mbeten të pakta. Megjithatë, dihet se Kim dhe Putin udhëtuan në të njëjtin automjet nga pritja zyrtare drejt vendit të negociatave, sipas një postimi të Kremlin-it në rrjetet sociale.
Pas takimeve mes delegacioneve të dy vendeve, dy liderët zhvilluan edhe një takim kokë më kokë.