Lajme

Kërçova dhe Bërvenica, test për koalicionin VMRO-VLEN

Gara zgjedhore në Kërçovë dhe Bërvenicë po shndërrohet në një provë të vërtetë për koalicionin qeverisës mes VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it, ku tensionet mes partnerëve po dalin hapur në terren.  Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, gjatë tubimit të partisë së tij në Kërçovë, u kërkoi banorëve të kësaj komune që më 2 nëntor, masovikisht të bashkohen pa dallime etnike, fetare apo politike, për ta zgjedhur Aleksandar Jovanovskin kryetar të Kërçovës. Mickoski vlerësoi se kundërkandidati i Jovanovskit, Fatmir Dehari, nuk ndan të njëjtat vlera morale me këtë koalicion dhe qytetarët. Ai tha se fitorja e Jovanovskit në Kërçovë dhe Orce Gjorgjievskit në Qytetin e Shkupit, do të shkruajnë historinë në këtë vend. Mickoski u përbetua se VMRO-DPMNE asnjëherë nuk do t’i zhgënjejë votuesit. Ai u zotua se do të punojë për mirëqenien e tyre duke jua përmirësuar jetën edhe në nivel lokal, ndërsa tha se vetëm kur jemi të bashkuar mund t’i mundim kundërshtarët e mëdhenj, të cilët nuk përfaqësojnë vlerat tona. “Më 2 nëntor, të dielën, është më rëndësi të madhe që të bashkohemi në Kërçovë pa dallim të përkatësisë etnike, fetare dhe politike, me një zë,  të bashkohemi për vlerat që përfaqëson Aleksandar Jovanovski dhe civilizimi që po e përfaqësojmë, sepse unë jam i bindur se kundër kandidati i Jovanovskit nuk i ndan vlerat tona dhe civilizimin tonë. Secili votues kur të merr fletëvotimin le ta dëgjojë, arsyen dhe zemrën e tij sepse nga aty do të burojë numri  9 të për ta votuar”, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski.

Mickoski në këtë tubim u shpreh i bindur se pas rrethit të dytë zgjedhor, Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE do të ketë 59 kryetarë komunash, që do të rrumbullakojë numrin më të lartë në historinë e Maqedonisë demokratike, për nga numri i kryetarëve të komunave, që ka ndodhur ndonjëherë. Dhe nëse kësaj i shtojmë edhe fitoren e sigurt të Orce Gjorgjievskit për Qytetin e Shkupit, tha Mickoski, atëherë VMRO-DPMNE ja do të numërojë 60 kryetarë komunash.

KASAMI: DEKLARATAT PËR KËRÇOVËN JANË NXJERRUR NGA KONTEKSTI

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës nga radhët e VLEN-it, Bilall Kasami, i cili është pretendent për mandat të dytë, thotë se deklarata e tij e dhënë së fundmi për një medium në gjuhën shqipe është nxjerrë nga konteksti. Në atë deklaratë ai kishte thënë se pret mbështetje të ndërsjellë mes VLEN-it dhe BDI-së në komunat ku në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale do të ketë kandidat për kryetar komune nga njëri prej blloqeve shqiptare, siç është rasti me Komunën e Kërçovës. Dje, në një paraqitje në TV Alsat, Kasami tha se ajo deklaratë është interpretuar politikisht në mënyrë të gabuar, duke shtuar se duhet marrë parasysh konteksti, vendi dhe mediumi ku ajo është dhënë. Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në reagimin e tij lidhur me deklaratën fillestare të Kasamit, tha se nuk e sheh atë si një paralajmërim apo qortim. “Nuk mendoj se ka pasur ndonjë paralajmërim. Duhet ta marrim parasysh kontekstin, vendin dhe mediumin ku është dhënë deklarata. Deklarata u interpretua politikisht në mënyrë të gabuar, sepse kundërshtarët tanë u përpoqën ta hapin kartën etnike në këto zgjedhje”, deklaroi Kasami.

Ai tha se qëndrimet e tij lidhur me këtë çështje janë në përputhje me qëndrimet e koalicionit VLEN. Duke komentuar kandidatin për kryetar të Kërçovës, Fatmir Deharin, i cili është propozuar nga koalicioni “Aleanca Kombëtare për Integrim”, i udhëhequr nga BDI, Kasami tha:
“Fatmir Dehari është kandidati më i dobët i BDI-së, i cili gjatë qeverisjes së tij nuk solli asgjë të mirë në Kërçovë. Përkundrazi, i ka bërë dëm qytetit dhe njerëzve të Kërçovës. Për këtë arsye, ne nuk mund të qëndrojmë pas tij vetëm pse është shqiptar”.

Para disa ditësh, nga koalicioni VLEN deklaruan se qytetarët e Kërçovës duhet të vendosin vetë për kë do të votojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kërçovë, ku gara finale për postin e kryetarit të komunës do të zhvillohet mes kandidatit të partnerit të tyre të koalicionit, VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Jovanovski, dhe Fatmir Deharit, kandidatit të koalicionit “Aleanca Kombëtare për Integrim” të udhëhequr nga BDI. Ndërkohë Kasami komentoi edhe situatën në Bërvenicë, ndërsa u distancua nga qëndrimet e kandidatin e VLEN-it Haqim Ramadani. “Duhet të bashkohemi rreth vizioneve të përbashkëta për zhvillim. Qëndrimet e kandidatit për komunën e Bërvenicës janë qëndrime të tij personale. Unë, si kryetar i Komunës së Tetovës, i përfaqësoj të gjithë qytetarët – maqedonasit, romët, turqit dhe sigurisht shumicën shqiptare”, tha kryetari i Tetovës, Bilall Kasami.

Në raundin e dytë zgjedhor në Bërvenicë, kandidati i VLEN-it, Haqim Ramadani, do të përballet me kryetarin aktual të komunës, Jovica Ilievski nga VMRO-DPMNE. Ramadani shkaktoi reagime në opinion pasi paralajmëroi bashkëpunim me AKI-në, me qëllim që një shqiptar të fitojë me çdo kusht në Bërvenicë. Ramadani, i cili është edhe drejtor i Inspektoratit Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale, gjatë një takimi me mërgimtarë në Hamburg të Gjermanisë, ka thënë se “duhet të dihet kush është zot i vendit të vet, dhe se komunat si Kërçova, Bërvenica, Tetova dhe kudo ku janë shumicë shqiptarët, duhet të udhëhiqen nga shqiptarë”.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, publikisht u shpreh i zhgënjyer nga kjo sjellje e partnerit të koalicionit. Ai paralajmëroi se Haqim Ramadani do të mposhtet të dielën në Bërvenicë dhe më pas do të shkarkohet edhe nga posti i drejtorit.

RAMADANI: NACIONALIZMIN E KULTIVON VMRO-DPMNE-ja

Ndërkohë, Ramadani reagoi në rrjete sociale duke thënë se është akuzuar padrejtësisht për nacionalizëm, ndërsa vlerësoi se nacionalizëm të vërtetë po propagandon kundërkandidati i tij nga radhët e VMRO-DPMNE-së Jovica Ilievski. “Kandidati i palës maqedonase, Jovica Ilievski nëpër podrumet e veta ka deklaruar ne shtabe se – ‘Këmba e kryetarit shqiptar nuk do të shkelë më në komunën e Brvenicës’. Kjo nuk është vetëm gjuhë urrejtjeje, është fyerje ndaj qytetarëve, ndaj dinjitetit njerëzor dhe ndaj bashkëjetesës që ne e kemi ndërtuar me mund ndër vite. Ata që na akuzonin për nacionalizëm, sot heshtin përballë një deklarate që turpëron çdo njeri me mendje dhe zemër normale”, ka theksuar Ramadani. Më tej, Ramadani tha se nuk predikojnë përçarje, por punojnë për barazi, zhvillim dhe respekt për të gjithë. Ai tha se Bërvenica është komunë e çdo qytetari, jo pronë e një partie apo një etnie. (koha.mk)

DIK-300x250-AL
3sgIgLJ.png