Lajme

Justifikim i turpshëm nga Pobeda: Reagimi anti-shqiptar ishte ‘spontan’

Klubi nga Maqedonia e Veriut, Pobeda ka reaguar pas thirrjeve anti-shqiptare që tifozët e tyre, “Majmunët”, bënë gjatë ndeshjes me Shkëndjën e Haraçinës në Prilep.

Sipas klubit maqedonas, reagimi i tifozëve të tyre ka ardhur pasi janë “provokuar nga futbollistët mysafirë”.

Pobeda thotë se “edhe një herë tregoi nivel të lartë organizimi gjatë zhvillimit të ndeshjes kundër ekipit të Shkëndijës Haraçinë, e cila u luajt në atmosferë të ndershme dhe sportive deri në fishkëllimën e fundit të arbitrit”.

“Edhe pse ndeshja përfundoi pa probleme të mëdha në fushë, pas saj ndodhi një incident i shkaktuar nga provokimet e disa lojtarëve të skuadrës mysafire”, thekson klubi nga Prilepi.

Sipas Pobeda-s, reagimi i ashpër i tifozëve të tyre ka ardhur pasi “publikut vendas u hodhën shishe nga lojtarë dhe anëtarë të ekipit mysafir”.

“Tifozët, të provokuar nga ky gjest, reaguan spontanisht, por situata u vu shpejt nën kontroll falë ndërhyrjes së shpejtë të sigurimit, rendit dhe policisë”, vijon deklarata e klubit maqedonas.

Në fund, Pobeda thotë se “incidenti ndodhi vetëm si pasojë e sjelljes së papërshtatshme të ekipit mysafir pas përfundimit të ndeshjes”, teksa shton se “pavarësisht përfundimit të pakëndshëm, klubi i Prilepit mbetet i përkushtuar ndaj frymës sportive, fair-play-t dhe respektit ndaj kundërshtarëve, me shpresë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më në fushat e futbollit”.

DIK-300x250-AL
3sgIgLJ.png