Lajme

“Jerusalem Post”: Trump është gati të ndërhyjë në Iran, po diskutohet mënyra dhe koha

Gazeta izraelite Jerusalem Post raporton se presidenti amerikan Donald Trump është zotuar tashmë për një formë ndërhyrjeje të Shteteve të Bashkuara në Iran, në mbështetje të protestuesve që po kundërshtojnë regjimin.

Sipas burimeve të njohura me diskutimet në Uashington, Trump “në thelb ka vendosur t’i ndihmojë protestuesit në Iran”, ndërsa ende nuk është marrë një vendim i qartë mbi mënyrën dhe kohën se si kjo ndihmë do të konkretizohet. “Ajo që ai nuk ka vendosur ende është ‘si’ dhe ‘kur’”, cituan burimet për median.

Raporti vjen në një moment kur presidenti amerikan pritet të zhvillojë një takim me këshilltarë të lartë të administratës të martën, për të diskutuar opsionet e mundshme të SHBA-së ndaj Iranit. Lajmi është konfirmuar edhe nga një zyrtar amerikan për agjencinë e lajmeve Reuters.

Ndërkohë, Trump reagoi publikisht përmes një postimi në platformën e tij Truth Social, ku deklaroi se Shtetet e Bashkuara “janë të gatshme të ndihmojnë” Iranin, ndërsa vendi, sipas tij, po kërkon liri “si kurrë më parë”.

Megjithatë, deri më tani, Trump nuk e ka përmendur drejtpërdrejt Iranin në asnjë tjetër postim apo deklaratë publike, duke lënë të hapur interpretimet mbi përmasat reale të ndërhyrjes që mund të ndërmarrë Uashingtoni.

3sgIgLJ.png