Ministria izraelite e Mbrojtjes njoftoi të hënën përfundimin e zhvillimit të projektit të saj “Iron Beam” (Rrezja e Hekurt – ed.), një sistem mbrojtës anti-ajror me lazer.
Ky sistem pritet të “ndryshojë” situatën “në fushën e betejës” dhe të hyjë në përdorim nga fundi i muajit dhjetor, njoftuan autoritetet.
“Sistemi me lazer Iron Beam pritet të ndryshojë rrënjësisht rregullat e angazhimit në fushën e betejës”, tha Daniel Gold, drejtor i departamentit kryesor të kërkimit dhe zhvillimit të ministrisë, gjatë një ekspozite mbrojtëse në Tel-Aviv.
“Pas një programi gjithëpërfshirës testimesh që ka vërtetuar aftësitë e sistemit, ne jemi gati t’i ofrojmë Forcave të Armatosura Izraelite një kapacitet fillestar operacional më 30 dhjetor 2025”, shtoi ky gjeneral në rezervë, sipas një deklarate të ministrisë që raportonte komentet e tij.
I pyetur nga AFP-ja për të sqaruar se çfarë nënkupton “kapaciteti fillestar operacional”, Ministria e Mbrojtjes refuzoi të japë më shumë detaje.
Njoftimi i ministrisë shënon një pikë kyçe në një projekt më shumë se dhjetëvjeçar, i zhvilluar bashkërisht me kompaninë shtetërore të armëve Rafael dhe grupin privat izraelit të mbrojtjes Elbit Systems.
Konkretisht, Iron Beam është një sistem tokësor i mbrojtjes ajrore që përdor një lazer me fuqi të lartë, i projektuar për t’iu kundërvënë kërcënimeve ajrore si raketat, mortajat dhe dronët, me një kosto “të papërfillshme”, sipas kompanisë Rafael.
“Iron Beam” pritet të plotësojë sistemin shumështresor të mbrojtjes anti-ajrore izraelite, që aktualisht përbëhet nga “Iron Dome”, “David’s Sling” dhe “Arrow”, të cilat lejojnë kapjen e predhave që nga raketat me rreze të shkurtër deri te ato me rreze të gjatë që fluturojnë jashtë atmosferës.

