Ish Ministrja e Jashtme e Kosovës njëherazi edhe këshilltarja e Presidentes së Kosovës, Meliza Haradinaj ka reaguar publikisht lidhur me një valë të ashpër reagimesh në rrjetet sociale, pas një deklarate të saj në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Ajo thekson se reagimet kanë kaluar kufijtë e debatit normal, duke u shndërruar në sulme më të gjera ndaj shqiptarëve dhe Kosovës.
Sipas saj, kjo situatë nxjerr në pah një realitet shqetësues: albanofobia nuk është e kufizuar vetëm në një shtet, por mbetet e pranishme dhe aktive edhe në vende me marrëdhënie të mira fqinjësore.
Haradinaj bën thirrje për reflektim dhe thekson nevojën për unitet dhe mbështetje të përbashkët ndaj shqiptarëve jashtë Kosovës dhe Shqipërisë, duke e cilësuar këtë si obligim kombëtar dhe rrugën e vetme përpara.
“Për një kohë të gjatë kam besuar se retorika e hapur dhe e organizuar kundër shqiptarëve ishte kryesisht e lidhur me Serbinë. Ky ka qenë perceptimi me të cilin shumë prej nesh jemi rritur. Dje në Twitter bëra diçka të thjeshtë: u solidarizova dhe mbrojta studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut që po kërkojnë të drejtat e tyre të fituara dhe trajtim të barabartë. Reagimi ishte i menjëhershëm dhe shumë më i ashpër sesa një debat normal. U zhvendos shpejt nga çështja e studentëve në sulme më të gjera ndaj shqiptarëve dhe Kosovës. Befasia nuk qëndron tek ekzistenca e urrejtjes, por tek fakti se Albanofobia nuk qenka e kufizuar vetëm në Serbi. Ajo është e pranishme dhe e zëshme edhe në Maqedoninë e Veriut, edhe sot pas 27 vitesh marrëdhënie të mira fqinjësore! Dhe ky është moment reflektimi: se forcimi i faktorit shqiptar në Ballkan nuk ndërtohet me iluzione, por me qartësi dhe unitet. Shqiptarët jashtë Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë vetëm. Por ata duhet të mbështeten me qëndrim të përbashkët, me përkujdesje kombëtare, dhe me zë të unifikuar. Kjo është rruga e vetme përpara, dhe obligim i përbashkët” ka shkruar Meliza Haradinaj.

