Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, deklaroi se vendi është i gatshëm t’i japë fund konfliktit aktual. Ai theksoi se ky vullnet varet nga përmbushja e disa kushteve thelbësore. Sipas tij, prioritet mbetet sigurimi i garancive që parandalojnë përsëritjen e sulmeve. Këto deklarata ai i bëri gjatë një komunikimi me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa. Qëndrimi i Iranit vjen në një moment tensionesh të larta dhe përpjekjesh diplomatike për uljen e konfliktit.
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian ka deklaruar se vendi i tij është i gatshëm të përfundojë konfliktin aktual, por e kushtëzoi këtë me sigurimin e garancive konkrete për të shmangur përsëritjen e sulmeve.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, Pezeshkian i bëri këto komente gjatë një bisede telefonike me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa. Ai theksoi se Irani ka vullnetin për të ndalur përshkallëzimin, nëse plotësohen kushtet e nevojshme.
“Ne kemi vullnetin e nevojshëm për t’i dhënë fund konfliktit, me kusht që të përmbushen kushtet e domosdoshme, veçanërisht garancitë për të parandaluar përsëritjen e sulmit,” citohet të ketë thënë Pezeshkian.
Deklaratat e tij erdhën menjëherë pasi Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) paralajmëroi për sulme ndaj kompanive amerikane në rajon, në përgjigje të asaj që e cilësoi si sulme amerikano-izraelite kundër drejtuesve iranianë.
Në një deklaratë zyrtare, IRGC përmendi 18 kompani amerikane, përfshirë Apple, Google dhe Meta, duke i akuzuar për bashkëpunim në “vrasje të synuara” të zyrtarëve iranianë. Sipas saj, këto kompani duhet të presin sulme ndaj njësive të tyre duke filluar nga data 1 prill, ora 20:00 sipas kohës së Teheranit.
Nga ana tjetër, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se operacionet ushtarake kundër Iranit po i afrohen fundit. Në një intervistë për New York Post, ai tha se SHBA nuk do të qëndrojë gjatë në konflikt, por synon të shkatërrojë kapacitetet ofensive të mbetura të Iranit.
“Nuk do të qëndrojmë atje shumë më gjatë… kemi ende punë për të bërë për të eliminuar aftësitë e tyre ofensive,” tha Trump.
Më herët, Trump kritikoi aleatët për mungesë mbështetjeje, duke sugjeruar se vendet që nuk u përfshinë duhet të ndërmarrin vetë hapa për të siguruar interesat e tyre, përfshirë në Ngushticën e Hormuzit.
Ndërkohë, në përgjigje të një plani amerikan me 15 pika për përfundimin e konfliktit, Irani paraqiti një kundërpropozim me pesë pika. Sipas mediave iraniane, plani kërkon ndalimin e “agresionit” dhe krijimin e një mekanizmi që garanton se as Izraeli dhe as Shtetet e Bashkuara nuk do të rifillojnë luftimet.

