Lajme

INTEGRIMI NË BE: Një premtim që brezat e rinj nuk e besojnë më!

Albina REKA

Shkup – Shumica e të rinjve në vend e shohin pozitivisht Bashkimin Evropian, megjithatë gati gjysma e tyre nuk besojnë se vendi do të arrijë ndonjëherë të bëhet pjesë e Unionit. Kjo situatë tregon një rritje të ndjeshme të euroskepticizmit mes të rinjve në vendet kandidate për BE, theksohet në publikimin “Sfidat e euroskepticizmit të të rinjve në Ballkanin Perëndimor: Rasti i Maqedonisë së Veriut”. Studimi është bazuar në një anketë online me 1.000 të rinj, prej të cilëve 81.5 për qind ishin studentë. Rezultatet tregojnë se 41 për qind e të rinjve e perceptojnë BE-në pozitivisht, 24 për qind negativisht, ndërsa 35 për qind mbajnë një qëndrim neutral.

Sa i përket perspektivës së anëtarësimit të vendit në BE, 46.5 për qind e të rinjve nuk besojnë se Maqedonia e Veriut do të bëhet ndonjëherë pjesë e Unionit, ndërsa 35.8 për qind mendojnë se kjo është e mundur, por vetëm në një të ardhme të largët. Vetëm 6.7 për qind janë optimistë se vendi mund të anëtarësohet në pesë vitet e ardhshme. Këto shifra tregojnë një mungesë besimi në procesin e integrimit evropian, i cili prej vitesh është shoqëruar me vonesa, kriza politike dhe pengesa të shumta diplomatike.

Në lidhje me arsyet që, sipas të rinjve, pengojnë integrimin evropian të vendit, 84.6 për qind përmendin korrupsionin si problemin kryesor. Përveç kësaj, 61 për qind theksojnë mosmarrëveshjet bilaterale me vendet fqinje, ndërsa 60 për qind e konsiderojnë mungesën e besimit në institucionet shtetërore si një faktor të rëndësishëm. Këto të dhëna tregojnë se euroskepticizmi nuk është aq shumë i drejtuar kundër vetë Bashkimit Evropian, sesa ndaj gjendjes së brendshme politike dhe institucionale të vendit.

Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e të rinjve ndihen të informuar për vlerat dhe politikat e BE-së. Konkretisht, 53 për qind thonë se janë mjaftueshëm të informuar, 22 për qind shumë të informuar dhe 21.5 për qind pjesërisht të informuar, ndërsa vetëm 3.5 për qind pranojnë se nuk janë aspak të informuar. Kjo tregon se pavarësisht skepticizmit, njohja e të rinjve për proceset dhe politikat evropiane është relativisht e lartë.

Sa i përket interesave të tyre ndaj BE-së, shumica e të rinjve 76.2 për qind përmendin mundësitë për punë dhe jetesë në vendet e Unionit. Pas tyre, 55.1 për qind vlerësojnë programet arsimore dhe rinore si Erasmus+, ndërsa 50 për qind e shohin mbrojtjen e të drejtave të njeriut si një aspekt thelbësor të anëtarësimit në BE. Interesa të tjera përfshijnë mbrojtjen e mjedisit (48.1 për qind), zhvillimin e digjitalizimit dhe inovacioneve (44.5 për qind) si dhe shkëmbimet kulturore (32.2 për qind). Këto të dhëna tregojnë se të rinjtë e shohin Bashkimin Evropian si një hapësirë mundësish për zhvillim personal, profesional dhe shoqëror.

Në raport me përfshirjen në proceset demokratike, 41.6 për qind e të rinjve shprehen të gatshëm të marrin pjesë në dialog me përfaqësues të BE-së, ndërsa 30.5 për qind janë kundër dhe 27.9 për qind mbeten të pavendosur. Megjithatë, mbi 70 për qind e të rinjve e konsiderojnë veten shoqërisht joaktivë dhe vetëm 8për qind marrin pjesë në nisma politike ose qytetare. Ky pasivitet tregon se, edhe pse të rinjtë janë të vetëdijshëm për rëndësinë e integrimit evropian, ata ndihen të distancuar nga proceset politike dhe vendimmarrëse në vend.

Për të përparuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian, është thelbësore përfshirja më aktive e të rinjve në jetën demokratike të vendit. Kjo nënkupton forcimin e qendrave rinore, krijimin e hapësirave për dialog të hapur dhe përfshirjen e të rinjve në proceset e hartimit të politikave publike. Vetëm përmes një rinie të informuar, aktive dhe të fuqizuar, RMV-ja mund të ecë më me bindje drejt integrimit evropian dhe të rikthejë besimin e gjeneratës së re në të ardhmen e vendit brenda familjes evropiane.

Andra Ibrahimi tha për gazetën KOHA se e ka të vështirë të besojë nëse vendi do të bëhet ndonjëherë anëtare e Bashkimit Evropian. “E kam të vështirë të besoj se vendi ynë do të bëhet ndonjëherë anëtar i Bashkimit Evropian. Prej vitesh dëgjoj të njëjtat premtime, por asgjë nuk ndryshon në realitet. Korrupsioni, mosmarrëveshjet me fqinjët dhe mungesa e besimit në institucionet tona e bëjnë procesin të duket i pafund”, u shpreh ajo. Ndërkohë që të rinjtë po largohen, politika vazhdon me retorikë, pa rezultate konkrete. BE-ja duket gjithnjë e më larg, jo sepse nuk na pranon, por sepse ne vet nuk po ndryshojmë sa duhet, shtoi Ibrahimi. (koha.mk)

DIK-300x250-AL
3sgIgLJ.png