Lajme

IMPORTI I VETURAVE: Çmimet mbeten të larta, ndryshon vetëm procedura

Importuesit theksojnë se nuk pritet ulje çmimesh. Ajo që ndryshon me rregulloren e re është vetëm procesi i importit: dokumentet do të plotësohen më shpejt dhe kostot administrative do të jenë pak më të ulëta. Por çmimi përfundimtar për blerësin mbetet i pandryshuar.

“Nuk do të ketë ulje çmimesh. Rregullorja vetëm shkurton procedurën dhe lehtëson dokumentacionin”, thotë një nga importuesit në Shkup. Sipas tij, çmimi i automjeteve në treg përcaktohet jo nga dokumentet, por nga taksat dhe detyrimet që pasojnë pas importit: doganat, TVSH-ja dhe akciza. Për një makinë që kushton 20.000 euro jashtë vendit, detyrimet në Maqedoni arrijnë nga 3000 deri në 5000 euro. “Këto shifra janë të pandryshueshme. Derisa shteti të ulë këto taksa, çmimet nuk do të bien”, shton ai.

Megjithatë, qytetarët që kishin shpresuar në ulje çmimesh ndihen të zhgënjyer. “Menduam se do të ishte më lirë, të paktën pak. Në fund, vetëm procedura u bë më e shpejtë, por ne do të paguajmë përsëri të njëjtën shumë”, thotë një blerës që ka kërkuar për muaj të tërë një makinë të përdorur për familjen e tij.

Ekspertët e tregut të automobilave vlerësojnë se çmimet e makinave të përdorura mund të ulen vetëm nëse ka një rritje të ofertës. “Nëse vjen një valë e madhe makinash të importuara, atëherë konkurrenca mund të ulë çmimet për t’i shitur më shpejt. Por kjo nuk lidhet me rregulloren e re, por me logjikën e tregut”, thotë një analist i industrisë.

Në fund, krijohet përshtypja se shteti ka bërë një hap të vogël drejt lehtësimit të procedurave, por jo drejt lehtësimit të xhepave të blerësve. Çmimet mbeten aty ku ishin – të larta për standardet vendase – dhe qytetarët do të vazhdojnë të shpresojnë për ndryshime, por jo tani. (koha.mk)

3sgIgLJ.png
KddZqn1.gif