Lajme

Ilaç kundër depresionit: Çekia lejon “kërpudhat magjike”

Pacientët me depresion dhe sëmundje të tjera që nuk reagojnë mirë ndaj terapi standarde, nga viti 2026 do të mund të marrin preparate mjekësore me psilocibinë – përbërësi aktiv në të ashtuquajturat “kërpudha magjike”, përcjell TV21. Antidepresivët ndihmojnë rreth 70% të pacientëve, ndërsa psikedelikët mund të ofrojnë një alternativë efektive për 30% të mbetur.

Edhe pse autoritetet kanë vendosur rregulla strikte që lejojnë përdorimin terapeutik të këtij ilaçi, Çekia është vendi i parë në Evropë që lejon përdorimin e psikedelikëve për trajtimin e depresionit. Udhëzimet e reja, të përgatitura nga Shoqata Psikiatrike pranë Shoqatës Mjekësore Çeke, përcaktojnë saktësisht se kush mund ta përdorë terapinë dhe nën cilat kushte.

“Është provuar toksiciteti i ulët i psilocibinës, si dhe rreziku minimal ose i papërfillshëm i varësisë dhe profili i lartë i sigurisë,” njoftoi Ministria e Shëndetësisë.

Psilocibina do të përdoret në seanca terapeutike që zakonisht zgjasin rreth gjashtë orë dhe zhvillohen në praninë e dy terapistëve të kualifikuar. Deri tani, kjo terapi ishte e disponueshme vetëm brenda kërkimeve shkencore. Pritet që ndryshimi të ndikojë tek një numër relativisht i vogël pacientësh, por sipas mediave çeke, kjo përbën një “hap të rëndësishëm” në zhvillimin e kujdesit psikiatrik.

Doza do të përcaktohet sipas peshës së pacientit dhe nuk mund të tejkalojë 75 mg në muaj.

Në Çeki ka disa dhjetëra specialistë që mund të kryejnë këtë terapi. Shumica ndodhen në Pragë dhe në qytetin e dytë më të madh, Brno.

Drejtori i Institutit Kombëtar për Shëndetin Mendor, Jirzi Horaçek, deklaroi se data e saktë e fillimit dhe qasja e ardhshme do të varen nga siguruesit shëndetësor. Ai theksoi se ky përbërës mund të përdoret edhe për trajtimin e gjendjeve të tjera psikiatrike për të cilat nuk ekzistojnë trajtime efektive – si depresioni pas diagnozës së kancerit.

Sipas ekspertëve, pothuaj një e treta e të rriturve në Çeki kanë probleme me shëndetin mendor. Rreth 700,000 njerëz jetojnë me depresion ose ankth. Në vitin 2015, vendi legalizoi gjithashtu kanabisin mjekësor, që përdoret më së shumti për dhimbje, sklerozë multiple, artrit reumatoid dhe kancer.

3sgIgLJ.png