Lajme

Hoxha Metin Izeti: Deklarata e fundit e Mickovskit e rrezikshme për demokracinë

Shkruan: Metin Izeti – Tetovë

Deklarata e kryeministrit se qëllimi i zgjedhjeve është “deklasimi i një partie politike shqiptare” është padyshim një thirrje e cila ka ngjallur debat dhe konfuzion, edhepse nga ana tjeter ai thekson se fitorja në zgjedhje u takon atyre që votohen, duke nënkuptuar se sovraniteti i vendimit i përket vetëm popullit. Kjo mund të shihet si një përpjekje për të shtuar dilemat dhe për të rrezikuar integritetin e procesit zgjedhor nga ndikimet e jashtme.

Megjithatë, pikërisht ky qëndrim krijon një paradoks thelbësor. Nëse qëllimi është “deklasimi” i një partie specifike, kjo e vendos kryeministrin në një pozicion që duket se tejkalon rolin e tij si udhëheqës i të gjithë qytetarëve. Ai, në këtë rast, nuk po flet thjesht për një garë politike të bazuar në programe, por po artikulon një qëllim që synon eliminimin politik të një subjekti. Kjo qasje mund të konsiderohet si e rrezikshme për demokracinë, sepse fitorja nuk shikohet më si një rezultat i një gare të ndershme idesh, por si një synim për të shkatërruar kundërshtarin.

Pyetja që lind natyrshëm është: kujt i shërben kjo deklaratë? A shërben ajo për të ndezur ndjenjat nacionaliste dhe për të mobilizuar mbështetësit? Apo shërben për të diskredituar një kundërshtar politik para zgjedhjeve? Një deklaratë e tillë mund të nxisë polarizim të thellë në shoqëri dhe të krijojë një ambient të tensionuar, ku ndasitë politike bëhen edhe më të mprehta. Duke vendosur në qendër “deklasimin” e dikujt, kryeministri mund të rrezikojë të humbasë thelbin e një debati të shëndetshëm politik, i cili duhet të përqendrohet te zgjidhjet për problemet e qytetarëve, e jo te eliminimi i kundërshtarëve.

Nëse qëllimi është që “shqiptarët të votojnë shqiptarët”, atëherë theksi duhet të ishte te fuqizimi i procesit zgjedhor dhe te thellimi i besimit te qytetarët. Por, duke e shoqëruar këtë me një synim për “deklasim”, deklarata duket se krijon më shumë pyetje sesa jep përgjigje, duke lënë të hapur debatin mbi qëllimet e vërteta dhe pasojat e saj në skenën politike…

3sgIgLJ.png
KddZqn1.gif