Të paktën dhjetë punonjës të Byrosë Federale të Hetimit janë larguar nga detyra për shkak të përfshirjes së tyre në hetimin që ish-Këshilltari Special Jack Smith zhvilloi ndaj Donald Trump.
Lajmi u raportua nga CBS News.
Zhvillimi vjen pasi Reuters njoftoi se FBI kishte kërkuar të dhëna për thirrjet telefonike të drejtorit aktual të saj, Kash Patel, dhe të Shefes së Stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, në një periudhë kur ata nuk mbanin këto poste. Sipas Reuters, Patel ka deklaruar se agjencia kishte siguruar të dhënat e tij pa transparencë dhe pa mbikëqyrje të mjaftueshme. Agjencia e lajmeve thekson se nuk ka arritur të konfirmojë në mënyrë të pavarur këto pretendime.
Këto veprime lidhen me hetimin që Smith zhvilloi për dokumentet e klasifikuara që Trump mori me vete pas përfundimit të mandatit në vitin 2021. Smith hapi gjithashtu një hetim tjetër federal mbi përpjekjet e dyshuara për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Këto procese çuan në ngritjen e padive të para penale federale ndaj një ish-presidenti amerikan.
Në mesin e vitit 2024, një gjykatës federal në Florida rrëzoi çështjen për dokumentet e klasifikuara, duke argumentuar se emërimi i Smith nuk ishte i ligjshëm. Pas fitores së Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, Smith tërhoqi edhe çështjen që lidhej me zgjedhjet.
Jack Smith ka mbajtur më parë poste të larta në Departamentin amerikan të Drejtësisë. Në vitin 2018 ai mori drejtimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, ku vijoi hetimet që çuan në aktakuza ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së.
