Sulmet kibernetike godasin kompani, sisteme pagese dhe infrastrukturë ndërsa lufta mes palëve shtrihet përtej fushëbetejës tradicionale
Lufta mes SHBA, Israelit dhe Iran nuk po zhvillohet vetëm në ajër dhe në det. Një front paralel është hapur edhe në hapësirën kibernetike, ku grupe hakerësh dhe struktura shtetërore po kryejnë sulme kundër objektivave strategjikë.
Sipas një raportimi të Axios nga gazetarët Jason Lalljee dhe Sam Sabin, aktorë të lidhur me Iranin kanë rritur ndjeshëm aktivitetin e tyre kibernetik pas fillimit të sulmeve ushtarake të SHBA dhe Izraelit.
Një sulm kibernetik i lidhur me hakerë pro-iranianë ndërpreu operacionet e kompanisë amerikane të teknologjisë mjekësore Stryker, raportoi The Wall Street Journal. Kompania konfirmoi se ka pësuar një ndërprerje globale të rrjetit të saj të lidhur me sistemet Microsoft, por deklaroi se nuk ka prova për ransomware apo malware.
I njëjti grup hakerësh pretendoi gjithashtu se kishte sulmuar kompaninë amerikane të pagesave Verifone, megjithëse kompania tha se nuk ka gjetur prova për një shkelje të sistemeve të saj.
Ekspertët e sigurisë kibernetike thonë se dhjetëra grupe pro-iraniane kanë nisur sulme ndaj infrastrukturave kritike në Lindjen e Mesme, në SHBA dhe në disa vende të Azisë. Disa prej tyre kanë pretenduar sulme ndaj sistemeve të pagesave në Izrael, faqeve qeveritare në Kuvajt dhe shërbimeve online në aeroporte.
Ndërkohë, edhe Izraeli dhe SHBA kanë përdorur taktika kibernetike në këtë konflikt. Sipas raportimeve, Izraeli arriti të depërtojë në një aplikacion iranian lutjesh dhe të dërgojë mesazhe në miliona telefona, duke u bërë thirrje ushtarëve iranianë të dezertojnë.
Raporte të tjera tregojnë se Izraeli ka pasur akses në një pjesë të madhe të kamerave të trafikut në Tehran. Sipas Financial Times, këto të dhëna u përdorën për të ndihmuar në identifikimin e objektivave gjatë një sulmi ajror që vrau liderin suprem iranian Ali Khamenei.
Ekspertët theksojnë se Irani ka përdorur prej vitesh operacionet kibernetike si një mënyrë për t’iu kundërpërgjigjur fuqisë ushtarake të SHBA dhe Izraelit, duke u mbështetur në rrjete të shpërndara hakerësh dhe grupeve të lidhura me shtetin.
Konflikti aktual tregon se luftërat moderne nuk zhvillohen më vetëm me raketa dhe avionë, por edhe me algoritme, inteligjencë artificiale dhe sulme të sofistikuara kibernetike.

