Janë shkatërruar dy grupe kriminale, nga të cilat njëra është klani Bellanoca-Baron, ndërsa janë ngritur dy aktakuza për disa vepra penale, përfshirë edhe vrasje, njoftuan nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Aktakuza është ngritur kundër nëntë personave, ndërsa shtatë prej tyre janë në arrati. Ata ndiqen për shantazhe, kërcënime, bashkim kriminal, por edhe për vepra të rënda që rrezikojnë sigurinë publike, siç është djegia e objekteve. Persona janë vrarë edhe për fyerje verbale, ose siç i klasifikon Prokuroria – për arsye banale. Disa nga vrasjet dhe veprat penale, si djegia e veturave, janë porositur nga brenda burgjeve, si hakmarrje ndaj policëve të burgut për shkak të mosbindjes.
“Vrasja më e vjetër daton nga viti 2014. Grupi i parë ka porositur dhe kryer, me mbështetje logjistike, katër vrasje, prej të cilave njëra është vrasje e dyfishtë. Motivet janë të ndryshme, kryesisht për shkaqe të ulëta, ndërsa një person është ekzekutuar pasi kishte sharë liderin e klanit Bellanoca-Baron. Këto vrasje përfshijnë ato në Shisha Bar, vrasjen në Hanioti të Greqisë, si dhe vrasjen e Kamer Idrizit në Butel, ku gjatë të shtënave ka humbur jetën edhe një person që nuk ka qenë shënjestër e sulmit”, thonë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit
Një tjetër vrasje ka ndodhur pasi grupi kriminal kishte identifikuar një person, të cilin e kishin akuzuar se jep informacione tek policia për dy të akuzuar në rastin “Monstra”. Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar nuk ndau më shumë detaje për veprimet e grupit. Grupi i dytë dyshohet se ka kryer gjithsej tre vrasje. Në të dy rastet, të akuzuarit kanë komunikuar përmes rrjetit social WhatsApp. Përveç këtyre dy grupeve kriminale, organet hetuese kanë mbledhur të gjitha provat edhe për grupin kriminal të udhëhequr nga Rade Trajkovski – Shtekli, i cili përbëhej nga 17 anëtarë dhe merrej me shitje të drogës.
“Droga fshihej në bunkerë nën tokë, të ndërtuar në tokë shtetërore. Edhe bageristët nga komuna që duhej ta gërmonin terrenin ishin kërcënuar. Shtatë anëtarë të grupit e kanë pranuar fajësinë dhe janë marrë vesh me Prokurorinë. Udhëheqësi i këtij grupi, Rade Shtekli, u arrestua në janar, pikërisht në momentin kur përgatitej për arratisje”, shtuan nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Prokurorët njoftuan se gjatë bastisjes në shtëpinë e Shtekli-t janë gjetur vetëm mbetje, ndërsa nga pamjet e kamerave të sigurisë është konstatuar se si e kishte larguar drogën, një pjesë e së cilës më pas është gjetur në një tjetër banesë, ndërsa pjesa tjetër në një pajisje speciale brenda bunkerit. Disa nga anëtarët e grupit e kanë mohuar fajësinë, të tjerë janë mbrojtur me heshtje, ndërsa pas miratimit të aktakuzës, rasti do të kalojë në gjykatë. Sipas Prokurorisë Publike, hetimet për rastin vazhdojnë, ndërsa pritet të zbardhen edhe ngjarje të tjera penale të ndodhura në Shkup dhe rrethinë gjatë 10 viteve të fundit./Alsat.mk