Gjykata Themelore e Strugës i vendosi gjobë prej 10,000 eurosh në denarë kryetarit të Strugës, Ramiz Merko, me akuzën për kryerje të pakujdesshme në shërbim, konkretisht, për parregullsi të kryera në emërimin e drejtorëve në detyrë të shkollave fillore në fshatrat Labunishtë, Radolishtë dhe Podgorcë, transmeton Portalb.mk.
Duke shpjeguar vendimin, gjykatësi Jordan Jovanov, i cili udhëhoqi procesin, tha se gjatë marrjes së vendimit dhe llogaritjes së shumës së gjobës, u morën parasysh disa rrethana lehtësuese – fakti që i pandehuri nuk ka të kaluar kriminale, pra nuk është dënuar më parë.
Jovanov tha se i pandehuri veproi në kundërshtim me Ligjin për Arsimin Fillor, si dhe se ekzistojnë raporte dhe procesverbale nga mbikëqyrja e kryer nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit që rendisin nenet ku është shkelur ligji. Të gjithë drejtorët në këtë rast, të cilët, siç tha gjykatësi, u emëruan drejtorë në detyrë në këtë pozicion, nuk u zgjodhën nga radhët e të punësuarve, u emëruan pa shpallje publike, nuk kishin pesë vjet përvojë të kërkuar dhe u zgjodhën njëri pas tjetrit, megjithëse ligji nuk e lejon këtë.
“Nuk diskutohet që drejtorët e emëruar i kryen detyrimet e tyre të punës, por e diskutueshme është nëse ata mund të ishin emëruar. Ka rregulla se si bëhet kjo dhe për sa kohë që janë në fuqi, ato duhet të respektohen”, tha gjykatësi.
Përfaqësuesit e Prokurorisë njoftuan se do ta apelojnë vendimin.