Lajme

Gjuha shqipe, fakultative!

“Pasurohet” edhe më shumë kontestimi i gjuhës shqipe edhe drejet rishikimit të historisë, sepse del se shqiptarët(Arbër Xheferi, Ali Ahmeti, Imer Imeri) që kanë pranuar këtë nivel të përdorimit të gjuhës shqipe në Marrëveshjen e Ohrit, janë pajtuar vetëm për përdorim FAKULTATIV!

Nga Daut DAUTI

  1. Nuk është çudi që Ligji për përdorimin e gjuhëve nuk i pëlqen profesoreshës Tanja Karakamisheva. Ajo është njëra nga iniciatorët për kontestimin e tij në Gjykatën Kushtetuese, pikërisht ngase nuk i pëlqen. Ka shumë qëndrime tjera edhe nga të tjerë, që tregojnë se nuk është vetëm gjuha shqipe ajo që u pengon. Pengesa më e madhe është realiteti i Maqedonisë dhe prezenca “joadekuate” e shqiptarëve, ndaj përpiqen në mënyrat më të ndryshme, ta tkurrin atë, nëse jo fizikisht(preferojnë një “Maqedoni të maqedonasve”), të paktën në mënyrën ku mendojnë se munden me majorizim, pra,  institucionalisht.

Kur diçka problematizohet, është me rëndësi të shihet në total problemi, por nuk është pa rëndësi se prej nga vjen. Duket se te Tanja Karakamisheva të dy gjërat shkojnë bashkë: kontestimi i saj individual, i jep peshë institucionale, duke pasur parasysh pozicionin e saj këshillues pranë kryeministrit. Dhe e dyta, duke qenë afër pushtetit, s’është çudi që politikat shtetërore marrin peshën e argumentimeve profesionale të saj, duke e ditur se është eksperte e drejtësisë.

Por çfarë janë argumentet e nivelit të ekspertit që duhet ta hedhë në mbeturina gjuhën shqipe? Këtë së fundmi e ka sqaruar prof.Karakamisheva për Kanal 5, ku i jep një interpretim të saj edhe ligjit, që s’është ndonjë gjë e re se çka është për të kontestuese, por dhe i shton interpretime vetë Kushtetutës, që ekspertizën e saj e bën me pikëpyetje të madhe. Më origjinalja që është dhënë deri tash si interpretim, është se ndryshe nga gjuha maqedonase, gjuhët tjera zyrtare të kategorisë “20 për qind”, janë FAKULTATIVE! Duke e lexuar në mënyrën e saj “bukvalist” (fjalë për fjalë) Amendamentin V, meqë shkruaka “MUNDET”, nuk qenka “E DETYRUESHME” që të përdoret gjuhë tjetër, që dallon nga maqedonishtja, ashtu siç e parasheh Ligji.

E po, urime, është hapur rruga e Vitit të Ligjit të Gjuhëve, siç tha para vitit të ri kryetari i Gjykatës Kushtetuese, një përfundim tashmë TË PARALAJMËRUAR!

Me fjalë tjera, këtu është edhe një rishikim edhe i historisë, sepse del se shqiptarët(Arbër Xheferi, Ali Ahmeti, Imer Imeri) që kanë pranuar këtë nivel të përdorimit të gjuhës shqipe në Marrëveshjen e Ohrit, janë pajtuar vetëm për përdorim FAKULTATIV!

Nuk është pa rëndësi të thuhet se kur ishte në opozitë, shefi i kësaj profesoreshe, tash kryeministër, thoshte se duhet të hiqet kategoria “20 për qind” për gjuhën shqipe dhe se duhet të korrigjohet në Kushtetutë…

  1. Fshati digjet, e plaka krihet! E, kjo është. Kur po zhvillohet në mënyrën më agresive fushata për ngushtimin e hapësirës së  gjuhës shqipe, një segment i VLEN-it, Lëvizja Besa, ka luksin e përçarjeve. Ndoshta shumë “shigjeta helmi” e goditën liderin e kësaj partie duke ardhur nga niveli më i lartë i kupolës së ekzekutivit, por dhe u hapën debatet e brendshme për suksesin e përfaqësuesve të saj në ekzekutiv, duke prekur direkt një nga figurat kyç të saj, ministrin i cili vetëm formalisht qe strehuar në këtë parti, Fatmir Limanin.

Në kolumnën e kaluar unë shkrova pak në këtë temë dhe parashikova se karriera politike e tij është e vulosur, sepse pa strehë partiake dhe vetëm me përkrahje të kryeministrit, do ta ketë vështirë të mbijetojë në skenën politike. E kisha fjalën në bllokun politik shqiptar. Por, gjërat ecin një rruge tjetër, që këto rirreshtime brenda Lëvizjes Besa, mund të sjellin edhe një parti të re, pasi këtë ambicie tashmë e ka shpallur publikisht ministri që s’çan kokën se çka mendojnë bashkëpartiakët, sepse ai ka shpinën e fortë. Ai ka mbrojtjen e kryeministrit. Duke mos e ndjerë veten edhe vetë pjesë të natyrshme të Lëvizjes Besa, në kohën kur u hap debati për punën e tij si ministër, ai del me idenë për krijimin e subjektit të ri, me pretendim se shumëkush do të rreshtohet pas tij. Ka dhe paralajmërime se kjo mund të ndodhë, por nuk mund të mos shtrohet dilema se kush do të rreshtohet me të? Ndoshta pikërisht njerëz me ambicie të cilët nuk mund “vegjetojnë” krejtësisht nëse nuk janë në pushtet, dhe te Lëvizja Evropiane e Fatmir Limanit shohin strehën dhe realizimin e ambicieve të tyre.

Por nuk është çështja kush cilës rrugë do të ecë. Në këtë kohë kur i bëhet presion i paparë Ligjit për përdorimin e gjuhëve, është luks i tepruar koalicioni VLEN të merret me fraksione e ambicie të sëmura brenda saj. Janë edhe shumë çështje tjera për të cilat janë të detyruar të durojnë kritika nga opozita dhe media, që të mund t’ia lejojnë vetes këtë luks të fragmentimit të tyre të mëtutjeshëm. Për fat të keq, ky proces është hapur jo vetëm me frakcionizmin e Limanit, por dhe me debatet si do të mund të funksionojë VLEN-i si një parti, ku partitë minore kërkojnë barazi. Kjo gjë është joreale, edhe pse në dukje parimore, duke e ditur forcën elektorale të secilit subjekt.

Ajo që dua të them nuk është se çdo subjekt në pushtet ose në opozitë mund të merren edhe me vetveten, mund të bëjnë kombinime të mbeten ose të dalin NGA VLEN-i,të mbeten ose të dalin nga qeveria, të pretendojnë të hyjnë në qeveri, të ndahen e të bashkohen me kë të duan, edhe me BDI-në, siç bëri ASH-ja e Taravarit, por, nëse gjithçka ia nënshtrojnë qëllimit për të qenë në qeveri dhe harrojnë se momentin kritik të tendencave të tkurrjes së përfitimeve të Marrëveshjes së Ohrit që po vijnë rrugës institucionale, duhet t’u themi se e kanë dështuar qëllimin. Për këtë mund t’i gjykojë historia.

  1. Nuk mund ta marrim pa një dozë rezerve se ç’ka mbrapa, por rasti i gazetares së RTK-së që mbeti pa punë dhe për të cilën reaguan edhe mediat e shumta, nuk mund të merret si një situatë naive. Sepse, nga ajo që u shkrua këto ditë, nuk shihet ndonjë shkelje serioze e disiplinës së punës që të mund drejtoria e Televizionit të marrë një hap të tillë.

Është dimension human dhe social që ta lësh pa punë dhe pa të ardhura një nënë në pritje të fëmijës, por edhe më e tmerrshme është gjithë prapavija: për shkak të disa veprimeve të saj profesionale që nuk i kanë pëlqyer pushtetit! Kjo është kthim në kohën e përshtatshmërive ideopolitike kur bëheshin diferencime dhe përjashtime nga puna për kundërshtim të vijës politike të Lidhjes Komuniste dhe betejave të saj me “armiq të brendshëm”.

Por, të jetë kjo sot një shkak për ta përjashtuar dikë, është e tmerrshme!

(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)

3sgIgLJ.png