Kancelari gjerman Friedrich Merz njoftoi të premten pezullimin e eksporteve të armëve që Izraeli mund të përdorë në Gaza, pas njoftimit të planit izraelit për kontrollin e qytetit palestinez.
Po bëhet “gjithnjë e më e vështirë të kuptohet” se si plani ushtarak izraelit do të arrinte objektivat e tij në Rripin e Gazës dhe, “në këto rrethana, qeveria gjermane nuk autorizon, deri në njoftim të mëtejshëm, eksportet e pajisjeve ushtarake që ka të ngjarë të përdoren në Rripin e Gazës”, u citua të thoshte Merz në një deklaratë.
Ky vendim shënon një ndryshim të madh drejtimi nga ana e qeverisë gjermane, një nga aleatët më besnikë të Izraelit, së bashku me Shtetet e Bashkuara, për shkak të përgjegjësisë historike të Gjermanisë për Holokaustin.
“Qeveria gjermane mbetet thellësisht e shqetësuar për vuajtjet e vazhdueshme të popullsisë civile në Rripin e Gazës”, shtoi Merz. “Me ofensivën e planifikuar, qeveria izraelite mban një përgjegjësi edhe më të madhe” në lidhje me ndihmën për civilët në territorin palestinez, vazhdoi ai, duke përsëritur thirrjen e tij për akses të plotë për “organizatat e OKB-së dhe institucionet e tjera joqeveritare”.
Bashkësia ndërkombëtare është gjithnjë e më e shqetësuar për vuajtjet e palestinezëve në Gaza, ku një vlerësim i mbështetur nga Kombet e Bashkuara ka paralajmëruar për uri.
“Qeveria gjermane i kërkon qeverisë izraelite të mos ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt aneksimit të Bregut Perëndimor”, shtoi kancelari.