Lajme

Gjermania “në alarm” për tarifat shtesë nga SHBA ndaj produkteve evropiane

Jo vetëm qeveria gjermane, por edhe përfaqësues të ekonomisë dhe industrisë kanë shprehur shqetësim të thellë lidhur me vendimin e administratës amerikane për të vendosur tarifa shtesë ndaj produkteve të importuara nga Evropa.

Ata flasin për një “rrezik ekzistencial” për industrinë evropiane dhe i bëjnë thirrje Bashkimit Evropian të zvogëlojë varësinë nga tregu amerikan. Ndërkohë, ekonomistët mbajnë shpresën për një tërheqje të mundshme nga Uashingtoni.

Federata e Industrisë Gjermane (BDI) e quajti këtë masë një “sinjal paralajmërues” për industrinë në të dy anët e Atlantikut.

“Një përplasje tregtare mes BE-së dhe SHBA-ve, që janë dy zona ekonomikisht të ndërthurura ngushtësisht, do të dëmtonte rimëkëmbjen ekonomike, kapacitetin inovativ dhe, në fund, besimin në bashkëpunimin ndërkombëtar,” deklaroi Wolfgang Niedermark, anëtar i bordit drejtues të BDI.

Ai theksoi se “javët e mbetura deri në hyrjen në fuqi të tarifave më 1 gusht duhet të shfrytëzohen për negociata të barabarta”, duke kujtuar se SHBA është partneri më i rëndësishëm tregtar i Gjermanisë.

Nga ana e tij, Shoqata Gjermane për Tregtinë Ndërkombëtare (BGA) kërkoi qasje të ashpër negociuese nga BE-ja, duke e cilësuar lëvizjen e Trump për tarifa 30% si pjesë e një strategjie të qëllimshme negociuese.

“Evropa nuk duhet të impresionohet, por të kërkojë me qetësi një zgjidhje në tryezën e negociatave,” deklaroi presidenti i BGA-së, Dirk Jandura. Ai shtoi se BE duhet të reduktojë varësinë nga tregu amerikan, duke përmendur si hap strategjik krijimin e një zone të lirë tregtare me vendet e ASEAN dhe ratifikimin e shpejtë të marrëveshjes me Mercosur.

Në të njëjtën linjë, Dhoma Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë (DIHK) kërkoi një marrëveshje gjithëpërfshirëse BE-SHBA për të gjitha sektorët.

“Kompanitë tona kanë nevojë për perspektiva të qarta dhe të besueshme për marrëdhëniet tregtare dhe investimet me partnerin tonë më të madh ekonomik. Vetëm një marrëveshje e fuqishme mund të rikthejë parashikueshmërinë dhe besueshmërinë,” deklaroi Volker Treier, Drejtor për Tregtinë e Jashtme në DIHK për agjencinë Reuters.

Shoqata Gjermane e Industrisë së Automobilave (VDA) paralajmëroi se tarifat mund të kërcënojnë vetë ekzistencën e shumë kompanive. Presidentja e VDA-së, Hildegard Müller, tha për ARD: “Është për të ardhur keq që po afrohet një tjetër përshkallëzim i përplasjeve tregtare. Kostoja për kompanitë tona tashmë ka arritur në miliarda euro – dhe po rritet çdo ditë.”

Ajo shtoi se furnitorët e industrisë së automjeteve po ndiejnë tashmë ndikime të forta edhe nga tarifat për produktet që vijnë nga Meksika.

Shoqata Gjermane e Makinerive dhe Inxhinierisë (VDMA) vlerësoi se tarifat 30% për eksportet drejt SHBA mund të rrezikojnë ekzistencën e shumë ndërmarrjeve.

“Shumë kompani do të mbijetonin me tarifa 10%, por 30% është krejt ndryshe,” deklaroi presidenti i VDMA-së, Bertram Kawlath, për revistën Politico, duke bërë thirrje për më shumë fokus në tregun evropian.

Megjithatë, ekonomistët nuk përjashtojnë një ndryshim qëndrimi nga SHBA, duke u bazuar në përvojat e mëparshme me administratën Trump. Këshilltari i ministrit gjerman të Financave, Jens Südekum, deklaroi për Frankfurter Allgemeine Zeitung: “Trump është i njohur për deklaratat e forta që shpesh i tërheq më pas. Nuk kam arsye të besoj se këtë herë do të jetë ndryshe.”

Edhe presidenti i Institutit të Kielit për Ekonominë Globale, Moritz Schularick, shprehu për FAZ se gjasa për një tërheqje të Trump është e lartë. Por nëse kjo nuk ndodh, paralajmëroi ai, ekonomia gjermane do të pësojë dëme të ndjeshme.

“PBB-ja pritet të rritet 0,5–0,6 pikë përqindjeje më pak në vitin 2026,” parashikoi ai, duke sqaruar se megjithatë nuk pritet recesion, për shkak të programeve shtesë të shpenzimeve të planifikuara nga qeveria federale.

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png