Lajme

Gjashtë mësime nga Trumpi për liderët globalë në vitin 2026

Strategjia e re indiane, mbështetet tani tek një qasje e matur: shmangia e përplasjeve publike me Trumpin dhe lavdërimi i përpjekjeve të tij diplomatike në Ukrainë dhe Gazë. Në të njëjtën kohë, India po përpiqet të mbajë të angazhuar pjesët e tjera të sistemit amerikan, si Kongresin dhe rrjetet e diasporës, për të ribalancuar marrëdhënien…

Çdo fillim viti, kolumnistët tanë parashikojnë sfidat e ardhshme. Për vitin 2026, ata analizuan mësimet nga viti i parë i mandatit të dytë të Donald Trump, ku politikat e tij – të bazuara te tarifat e ashpra dhe rishikimi i aleancave – i kanë revolucionarizuar marrëdhëniet ndërkombëtare. Edhe pse mjedisi mbetet i paparashikueshëm, liderët globalë po mësojnë të lundrojnë në këtë epokë të re paqëndrueshmërie. Ja cilat janë 6 mësimet kryesore që do të diktojnë politikën botërore.

1. Për Kinën: Presion i kalibruar dhe durim

Pekini po del nga viti 2025 kryesisht i padëmtuar nga ultimatumet e Trumpit. Udhëheqja kineze ka kuptuar se ndonëse Trump është më i shfrenuar në veprime se në mandatin e parë, shpesh kërcënimet e tij maksimaliste zbuten përballë presioneve të tregut ose dëshirës së tij personale për të arritur një “marrëveshje” që mund ta shesë si fitore politike.

Për t’u kundërpërgjigjur, Kina ka testuar me sukses brishtësinë e zinxhirëve të furnizimit të SHBA-së duke kufizuar eksportet e mineraleve kritike. Ky presion specifik, e ka detyruar administratën të bëjë lëshime, siç ishte rasti me lejimin e dërgesave të çipave Nvidia, duke vërtetuar se hakmarrja e kalibruar funksionon më mirë se sa kundërsulmet e gjera ekonomike.

Në vitin 2026, Pekini do të shfrytëzojë natyrën transaksionale të Trumpit për të siguruar lehtësime tarifore në këmbim të lëshimeve simbolike. Strategjia afatgjatë, mbetet forcimi i lidhjeve me Evropën dhe Azinë për të zbutur izolimin nga SHBA-ja, duke pritur që politikat e Uashingtonit ta humbin me kalimin e kohës fuqinë e tyre.

2. Për Indinë: Diversifikim dhe pragmatizëm

Narendra Modi priti rikthimin e Trumpit me entuziazëm, por u zhgënjye kur India u godit me tarifa deri në 50 për qind. Ky veprim nxori në pah forcën e lëvizjes MAGA, e cila nuk hezitoi të godiste partnerët strategjikë. Nju Delhi e kuptoi se miqësia personale mes liderëve, nuk mjafton për të mbrojtur interesat ekonomike.

Strategjia e re indiane, mbështetet tani tek një qasje e matur: shmangia e përplasjeve publike me Trumpin dhe lavdërimi i përpjekjeve të tij diplomatike në Ukrainë dhe Gazë. Në të njëjtën kohë, India po përpiqet të mbajë të angazhuar pjesët e tjera të sistemit amerikan, si Kongresin dhe rrjetet e diasporës, për të ribalancuar marrëdhënien.

Mësimi kryesor për Indinë në vitin 2026, është mosvendosja e të gjitha “vezëve” në shportën amerikane. Nju Delhi po përshpejton arritjen e marrëveshjet tregtare me Evropën dhe po lehtëson tensionet me Kinën, duke zbuluar se qëndresa ndaj presioneve të Uashingtonit e

rrit autoritetin e tyre si në vend, ashtu edhe në skenën ndërkombëtare.

3. Për aleatët: Strategjia e “iriqit”

Vendet e cenueshme si Ukraina, Tajvani dhe shtetet baltike, kanë arritur në përfundimin se garancitë e vjetra të sigurisë nga SHBA janë tashmë të paqëndrueshme. Mbijetesa në rendin

e ri, varet nga transformimi i këtyre vendeve në “iriqë”, pra kombe që janë shumë të kushtueshme dhe të vështira për t’u sulmuar ushtarakisht.

Ukraina ka kaluar nga kërkesa për anëtarësim në NATO, tek synimi pragmatik për një armëpushim që lejon rindërtimin e kapaciteteve mbrojtëse. Ky ndryshim, pasqyron pranimin e faktit se angazhimi i Uashingtonit ndaj Evropës, është tashmë i kushtëzuar dhe varet kryesisht nga tekat e presidentit aktual.

Në rajonin e Indo-Paqësor, Tajvani dhe Japonia po ndjekin të njëjtën rrugë duke rritur ndjeshëm buxhetet e tyre ushtarake. Përballë paqartësisë strategjike të Trumpit, këto vende po investojnë në prodhimin e raketave kundër anijeve dhe sistemeve mbrojtëse të shpërndara.

4. Për CEO-t: Pasiguria e investimeve në SHBA dhe shikimi i alernativave

Bota e biznesit u trondit shumë në vitin 2025, kur agjentët e migracionit ndaluan qindra punonjës të Hyundai dhe LG në Xhorxhia. Ky incident tregoi se edhe kur kompanitë e huaja përpiqen të investojnë miliarda në SHBA për të kënaqur administratën, ato mund të ndëshkohen nga rregullat e rrepta të vizave dhe burokracia armiqësore.

Për drejtuesit e kompanive, është e qartë se prodhimi brenda Amerikës sjell rreziqe të reja. Zinxhirët kompleksë të furnizimit goditen nga tarifa të shumta mbi pjesët e importuara, duke e bërë pothuajse të pamundur planifikimin afatgjatë në një mjedis ku politikat ndryshojnë papritur.

Në vitin 2026, pritet që shumë korporata të kthejnë sytë nga destinacione alternative si Vietnami apo Kanadaja. Megjithëse SHBA-ja mbetet treg tërheqës, pasiguria strukturore po i detyron CEO-t të diversifikojnë investimet larg një vendi që po bëhet gjithnjë e më i paparashikueshëm për të bërë biznes.

5. Për vendet evropiane: Ruani qetësinë dhe vazhdoni përpara

Udhëheqësit evropianë kanë arritur të shmangin “sindromën e ankthit” ndaj Trumpit duke adoptuar një qasje më pragmatike. Në vend që të humbasin kohë duke kundërshtuar filozofinë e tarifave, ata pranuan një nivel të caktuar tarifash (15 për qind) dhe shmangën hakmarrjet e nxituara që do të dëmtonin konsumatorët e tyre.

Uniteti ka qenë arma kryesore e Brukselit. Duke i penguar qeveritë individuale që të

vrapojnë drejt Uashingtonit për marrëveshje dypalëshe, BE-ja e ka ruajtur fuqinë kolektive negociuese. Kjo strategji e “vetë-ndihmës”, po del të jeë më efektive se sa përpjekjet për të bindur Trumpin që të ndryshojë bindjet e tij.

Sfidat e vitit 2026 do të testojnë këtë rezistencë, veçanërisht lidhur me fondet ruse të ngrira dhe presionin e SHBA-së mbi rregullat dixhitale. Evropa pritet që të ndjekë rrugën e saj, duke u fokusuar te uniteti i brendshëm si mburoja e vetme kundër tentativave të Trumpit për të përçarë bllokun gjatë samiteve si ai i G-20.

6. Për Izraelin: Rishqyrtimi i ndihmës

Qasja e Trump ndaj Lindjes së Mesme ka qenë plot surpriza, nga sulmet ndaj Iranit tek takimet me figura të diskutueshme siriane. Për Izraelin, mesazhi është i qartë: nuk ka më një “çek të bardhë” nga Uashingtoni. Trump e ka bërë të qartë se 4 miliardë dollarët e ndihmës vjetore, i konsideron një kosto të lartë për SHBA-në.

Shtëpia e Bardhë nuk po ndjek një doktrinë strikte “Amerika e Para”, por po udhëhiqet më shumë nga instinktet transaksionale të presidentit. Kjo do të thotë se ndihma ushtarake mund të kushtëzohet ose të ndërpritet nëse Izraeli nuk ofron diçka domethënëse në këmbim, pavarësisht lobimit tradicional në Uashington.

Në vitin 2026, Izraeli do të duhet të jetë më krijues për të ruajtur mbështetjen amerikane. Propozimet për ndërprerje graduale të ndihmës në këmbim të investimeve po diskutohen, pasi Trump beson se SHBA-ja nuk merr mjaftueshëm mbrapsht për stabilitetin që garanton. Tani është radha e Izraelit që “të paguajë” për partneritetin. /Përshtatur nga “Foreign Policy”/

3sgIgLJ.png