Lajme

Gaza, riviera e gjakut

Netanyahu kërkon të zbrazë Gazën për ta aneksuar, me bekimin e SHBA dhe heshtjen e botës. Aneksimi i Bregut Perëndimor vetëm sa i paraprin një shkatërrimi të plotë të ekuilibrave në botë…

Nëse dikush ende ka iluzione për atë që po ndodh në Gaza, është koha të zgjohet. Kjo nuk është më një luftë, nuk është më as “vetëmbrojtje”, dhe as “kundërterrorizëm”.

Është një skemë e ftohtë, e planifikuar prej vitesh, që tani po zbatohet brutalisht në sy të gjithë botës: një projekt për spastrimin etnik të Gazës, për dëbimin përfundimtar të popullsisë palestineze dhe për marrjen e plotë të bregdetit më strategjik të Mesdheut lindor.

Takimi i fundit midis senatorit amerikan Marco Rubio dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu i heq çdo maskë diplomacie. Nuk po flitet më për paqe, për zgjidhje me dy shtete apo për sigurinë e të dy popujve. Po flitet hapur për aneksimin e Bregut Perëndimor, ndërkohë që Gaza bombardohet në mënyrë sistematike për ta kthyer në një zonë të pabanueshme. Dhe në heshtje, me diplomacinë e Katarit të thyer, me shërbimet sekrete që operojnë në territor të huaj dhe me OKB-në e paralizuar, zbatohet një plan i qartë: të largohet çdo palestinez nga Gaza dhe të mos lejohen më të kthehen kurrë.

Pastrimi fillon me raketat, por përfundon me buldozerët. Izraeli po bombardon gjithçka: spitale, shkolla, rrugë, tunele, ndërtesa civile, me qëllim që të mos mbetet asnjë strukturë për të jetuar. Por kjo nuk është një strategji ushtarake, kjo është arkitektura e një përvetësimi.

Gaza ka 40 kilometra vijë bregdetare që çdo shtet do ta ëndërronte: me potencial turistik, portual, energjetik. Dhe kushdo që kontrollon këtë territor, kontrollon hyrjen detare të Egjiptit dhe ndikimin ekonomik në të gjithë Mesdheun lindor. Izraeli e di këtë. Prandaj lufta nuk ka më të bëjë me Hamasin, por me vetë Gazën.

Në këtë proces, Rubio dhe të djathtët amerikanë nuk janë vetëm spektatorë; janë bashkëplanifikues. Me një administratë në SHBA që po i mban sytë mbyllur, me Trumpin e “Marrëveshjeve të Mëdha” dhe me Kongresin që mbron Izraelin me çdo kusht, plani i Netanyahut ka marrë bekimin që i nevojitej. Aneksimi i Bregut Perëndimor po ndodh përmes ligjeve, ndërtimit të kolonive dhe kontrolleve ushtarake, ndërsa Gaza po pastrohet në mënyrë fizike.

Është një strategji në dy fronte: legalizim në veri, zbrazje në jug. Dhe nëse kjo përfundon pa ndëshkim, bota do të ketë vendosur një precedent të ri, që nëse je aleat i fortë, mund të spastrosh popullata, të marrësh territore dhe të ndërton vila mbi rrënoja pa pasoja.

Kjo nuk është më thjesht çështje palestineze, është një krizë e rendit ndërkombëtar, një turp për çdo vend që flet për të drejta të njeriut, për demokraci dhe për rend global.

Shqipëria, si vend që ka kaluar përndjekje, pushtime dhe dëbime, nuk mund të heshtë përballë një spastrimi që po ndodh sot, live, me imazhe, me zë dhe me statistika.

Në fund, historia nuk do të mbajë mend rezolutat e buta. Do të mbajë mend kush foli, kush heshti dhe kush firmosi për të zhdukur një popull nga një copë tokë. Dhe nëse heshtim, atëherë jemi pjesë e planit.

3sgIgLJ.png
KddZqn1.gif