Kur “The Guardian” raporton për një autokrat, udhëheqësit e botës së lirë duhet të dridhen
Shanset që masat e shtypura të çlirohen nga zgjedha e regjimeve shtypëse rriten ndjeshëm kur bota merr vesh për vuajtjet e tyre. Problemi i vetëm është se padrejtësitë janë të shumta në sipërfaqen e tokës, prandaj vëmendjen e opinionit publik e tërheqin ato pika nevralgjike ku thirrjet e qytetarëve për drejtësi dhe demokraci përballen me një shtypje të jashtëzakonshme dhe brutale. Pikërisht një proces i tillë është duke ndodhur aktualisht në Serbi.
Përhapja e së vërtetës, të paktën nëpërmjet mediave elektronike, u nxit nga veprimet e studentëve në Strasburg dhe Bruksel. Veprimet e mëvonshme të pushtetit, dhuna ndaj protestuesve, arrestimet, djegia e pronës së tyre, shantazhet dhe largimet nga puna, ngjallën shqetësim jo vetëm në Evropë, por në mbarë botën. Kohët e fundit, Serbia është bërë temë e shpeshtë në mediat më prestigjioze botërore me ndikim të gjerë.
Një nga revistat më të vjetra mjekësore në botë, “The Lancet”, që këtë vit shënon 203 vjet nga themelimi, më 14 gusht publikoi një artikull me titull “Serbia është në krizë”. Zgjedhja e kësaj teme nuk është e rastësishme, pasi revista thekson me krenari se linja e saj editoriale bazohet në barazinë globale për të drejtën ndaj shëndetit, përkujdesjen për ndryshimet klimatike dhe angazhimin për drejtësi sociale.
Në artikullin editorial, i cili ka peshë të veçantë, sepse vjen nga vetë redaksia, thuhet se shembja e një strehe në një institucion publik është simboli i çmimit që qytetarët paguajnë me jetët e tyre për shkak të korrupsionit sistemik në regjimin gjithnjë e më autoritar të Aleksandar Vuçiçit. Theksohet se vetëm në muajt mars dhe prill janë regjistruar mbi 3.500 protesta dhe tubime, se bëhet fjalë për mobilizimin më të madh studentor në Evropë që nga viti 1968, dhe se po bëhet gjithnjë e më e vështirë të arsyetohet heshtja e liderëve evropianë, sidomos kur në Serbi po shemben tre shtylla themelore të çdo shoqërie: demokracia, arsimi dhe shëndetësia.
Mesazhi është i qartë: Serbia ndodhet në një udhëkryq. Nëse autoritetet serbe vazhdojnë të përgjigjen me represion dhe komuniteti ndërkombëtar mbetet i heshtur, atëherë erozioni i institucioneve demokratike, i besimit shoqëror dhe i shëndetit publik mund të bëhet i pakthyeshëm. E vetmja zgjidhje është një ndryshim rrënjësor i vullnetit politik në Serbi dhe një angazhim real nga ana e bashkësisë ndërkombëtare.
Vetëm katër ditë më pas, një tjetër editorial u publikua nga gazeta prestigjioze “Financial Times”, me titullin “Është koha t’i jepet fund tolerimit ndaj presidentit autoritar të Serbisë”. Kryeredaktorja Roula Khalaf e ka rekomanduar personalisht si leximin e saj të preferuar.
Në artikull theksohet se autokratët, pas një dekade në pushtet, përballen me një dilemë të qartë: të shtojnë represionin dhe të forcojnë kapitalizmin klientelist, duke shkatërruar edhe ato pak media të pavarura që mund të kenë mbetur, apo të përgjigjen ndaj thirrjeve të opozitës për reforma. Sipas redaksisë, Vuçiç ndjek një politikë të dyfishtë, të tipit “mirëmëngjes, çarshi, në katër anët e botës”, ndërkohë që liderët evropianë vazhdojnë ta mbështesin për shkak të interesave që lidhen kryesisht me burimet e litiumit.
Redaksia e “Financial Times” e pranon se Vuçiç ende mund të zgjedhë të ulë presionin ndaj mediave të pavarura, të hapë hapësirën politike për opozitën dhe të nxisë hetime të pavarura për skandalet – si rasti i stacionit të shembur në Novi Sad, dhe se këto veprime do të mund të shënonin një kthesë pozitive drejt integrimit në BE. Por theksohet se kjo nuk është rruga që një autokrat si Vuçiç do të ndjekë me dëshirë. Për këtë arsye, përfundimi është i prerë: nëse atij i lihet në dorë liria për të vendosur, përgjegjësia nuk do të jetë vetëm e tij, por edhe e partnerëve perëndimorë që zgjedhin të kthejnë kokën nga ana tjetër.
I vetëdijshëm për ndikimin e “Financial Times” në opinionin ndërkombëtar, Vuçiç u përpoq të shfaqej si i moderuar duke dërguar një reagim me titull “Pushteti serb mbetet i përkushtuar ndaj dialogut”. Ai u përpoq të paraqitej si palë e arsyeshme që gjithmonë kërkon bisedime me mirëbesim, por, sipas tij, përballet me mungesë vullneti nga pala tjetër. Por reagimi i diasporës serbe nga të gjitha kontinentet (përveç Antarktidës) e hodhi poshtë këtë retorikë në një letër dërguar gazetës, e cila ende nuk është publikuar zyrtarisht, por qarkullon gjerësisht online.
Vuçiç iu drejtua edhe gazetës britanike “The Guardian” me një reagim ndaj një artikulli kritik për situatën në Serbi të publikuar më 25 gusht. Por atje përjetoi një poshtërim të rrallë për një president shteti: redaksia e “Guardian” publikoi letrën e tij më 29 gusht, por në një vend krejt të papërshtatshëm – në një suplement për këshilla për amvisat, nën një fotografi me karota dhe perime të tjera.
Po atë ditë, në revistën prestigjioze britanike “British Medical Journal” u publikua një artikull me titullin “Kur studentët udhëheqin, profesorët duhet të qëndrojnë krah tyre për mbrojtjen e shëndetit dhe të drejtave të njeriut”. Autorët janë dy studentë mjekësie dhe një profesoreshë nga Beogradi, si dhe një profesor nga Londra.
Në përfundim, artikulli thekson se përgjigjja ndaj represionit duhet të jetë kolektive dhe e guximshme, se gjendja në Serbi kërkon solidaritet përtej kufijve shtetërorë dhe disiplinorë, dhe se komuniteti akademik ndërkombëtar duhet të kuptojë që një sulm ndaj demokracisë, kudo që ndodh, përbën rrezik global për dijen dhe për shëndetin publik. Universitetet kanë për detyrë të mbrojnë kërkimin shkencor dhe përgjegjësinë qytetare.
Përballë kësaj ekspozimi shkatërrues të mënyrës se si ai manipulon pushtetin, Vuçiq është i pafuqishëm. Ai mund të gënjejë qytetarët e vet të dezinformuar, siç kanë bërë paraardhësit e tij në periudha të errëta të historisë, por nuk ka mashtrim që mund të funksionojë te qytetari mesatar amerikan, britanik apo suedez. Dhe këta qytetarë anonimë, por me peshë të madhe votuese, janë ata që vendosin se sa do të zgjasë pushteti i Von der Leyen, Macron apo Scholz.
Vetëm naivët besojnë se liderët e botës së lirë nuk janë të informuar për mëkatet dhe abuzimet e Vuçiqit. Ata e kanë zgjedhur pikërisht për shkak të biografisë së tij të errët dhe nënshtrimit ndaj shantazhit. Ai ua dorëzon gjithçka me përulësi, i gatshëm ta shndërrojë Serbinë në kazanin e plehrave të Evropës. Por kur “The Guardian” flet për një autokrat me ndikim të rrezikshëm në Ballkanin Perëndimor, liderët perëndimorë nuk mund të heshtin, sepse ndikimi i këtyre fjalëve mund t’i dëmtojë në sytë e elektoratit të tyre. Nuk mund të bëhet aleancë e qetë me një partner të përlyer. /Përshtatur nga Danas
Autori është profesor në pension i Fakultetit të Mjekësisë