Lajme

Franca jep alarmin: Rusia mund të sulmojë Europën brenda 3-4 vitesh, të përgatitemi

Paralajmërimi i kreut të ushtrisë franceze për një “test rus” ndaj mbrojtjes europiane ndez alarmet në Bruksel, ndërsa BE përgatit planin e luftës deri në vitin 2030.

Në një deklaratë që ka tronditur qarqet politike dhe ushtarake të Europës, gjenerali Fabien Mandon, shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes së Francës, i emëruar nga presidenti Emmanuel Macron në korrik, paralajmëroi se Rusia mund të kryejë një “inkursion ushtarak” në Europë brenda tre ose katër vitesh.

Mandon e bëri këtë paralajmërim gjatë një raportimi në Komisionin e Mbrojtjes të Asamblesë Kombëtare franceze të mërkurën, duke përshkruar atë që e quajti “një test të ardhshëm rus ndaj mbrojtjes europiane”.

Sipas gjeneralit, Moska po riorganizon forcat e saj me synimin e qartë për t’u përballur me NATO-n, ndërsa lufta në Ukrainë po zgjatet dhe pritet të vazhdojë deri në vitin 2026. “Udhëzimi im i parë për ushtrinë është të jetë gati brenda 3–4 vitesh për një tronditje që do të shërbejë si një test. Të mendojmë se pushtimi i Ukrainës në vitin 2022 ishte i fundit, do të thotë të injorojmë rrezikun që kërcënon shoqëritë tona”, deklaroi Mandon. Në vend të një lufte të gjerë, ai përmendi mundësinë e një përplasjeje të kufizuar, një lloj provokimi ose operacioni simbolik nga ana e Rusisë për të matur gatishmërinë e Europës.

Sipas raportimeve të Politico.eu, “gjeneralë dhe politikanë të lartë nga vendet e BE-së dhe të NATO-s kanë ngritur alarmin se Moska mund të sulmojë aleancën mes viteve 2027 dhe 2030”. Javën e kaluar, Komisioni Europian publikoi një plan përgatitor për luftë deri në vitin 2030, që përkon me analizat e doktrinës franceze të sigurisë, e cila e konsideron të mundshëm një konflikt kinetik në kontinent. Megjithatë, ndërsa politika flet me tone alarmante, ekspertët ushtarakë po tregojnë më shumë pragmatizëm.

Politologu gjerman Carlo Masala, profesor në Universitetin e Bundesëehr-it në Mynih, në librin e tij “Nëse Rusia sulmon Perëndimin” përshkruan një skenar të mundshëm: një sulm i kufizuar rus ndaj një prej vendeve baltike, nën pretekstin e mbrojtjes së pakicave rusishtfolëse. Në të njëjtën linjë, Mandon flet për një “test” që do të kërkojë nga Europa instrumente të reja të parandalimit dhe reagimit strategjik.

Edhe pse Rusia po fiton terren në disa fronte në Ukrainë, ajo ende nuk ka arritur fitore përfundimtare pas gati katër vitesh lufte. Një fund i mundshëm i konfliktit do ta gjente Moskën në mes të procesit të rindërtimit ekonomik dhe ushtarak, jo në pozita për të nisur një luftë të re të madhe. Kjo e bën më të mundshme zgjerimin e luftës hibride dhe asimetrike, përmes sulmeve kibernetike, dezinformimit, apo presionit energjetik, sesa një pushtim frontal të vendeve të NATO-s.

Në thelb, dëshmia e gjeneralit Mandon pasqyron mendimin që po qarkullon në qarqet ushtarake europiane: Europa duhet të përgatitet për çdo eventualitet, jo për t’u frikësuar, por për të mos u zënë në befasi. /Përshtati “Pamfleti” nga “Inside Over”

DIK-300x250-AL
3sgIgLJ.png