Pas deklaratës së kryeministrit Mickoski dhe të zlvendëskryeministrit Bekim Sali, debati për mundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ka nxitur një reagim të ashpër nga vet ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, i cili këmbëngulë të mos i jep të drejtën studentëve shqiptarë, shkruan gazeta KOHA.
Përmes një reagimi publik thekson se interpretimet ditore politike të Kushtetutës dhe ligjeve kanë përfunduar me largimin e qeverisë së mëparshme nga pushteti.
Filkovi nënvizon se Qeveria aktuale synon të vendosë “rregulla të qarta, siguri juridike dhe respekt të plotë të rendit kushtetues”, duke reaguar drejtpërdrejt ndaj deklaratave të zëvendëskryeministrit Bekim Sali për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
“Kushtetuta duhet të respektohet dhe nuk mund të jetë objekt interpretimesh të lira ditore politike. Respektimi i saj nënkupton lexim të plotë, sistemor dhe konsekuent të dispozitave kushtetuese dhe ligjore, e jo nxjerrje selektive nga konteksti për mesazhe afatshkurtra politike”, thekson Filkovi, ndërsa shton se shteti nuk funksionon mbi bazën e vlerësimeve personale apo përshtypjeve politike, por mbi Kushtetutë dhe ligj.
“Në sistemin juridik nuk ekziston kategoria ‘ka ose nuk ka vullnet’. Ekzistojnë norma kushtetuese, zgjidhje ligjore dhe procedura institucionale. Çdo gjë tjetër është thjeshtim i rrezikshëm që minon shtetin juridik”, deklaron ministri.
Sipas Filkovit, Ministria e Drejtësisë ka analizuar peticionin e studentëve për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke shqyrtuar të gjitha dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore.
Ai thekson se Ligji për përdorimin e gjuhëve mundëson përdorimin e shqipes si gjuhë zyrtare në procedurat para institucioneve, por kjo nuk mund të trajtohet e shkëputur nga ligjet sistemore që rregullojnë funksionimin e gjyqësorit.
“Provimi i jurisprudencës është parakusht kyç për hyrje në gjyqësor, prokurori, avokaturë, noteriat dhe përmbarim, ndërsa të gjitha këto ligje parashohin njohje aktive të gjuhës maqedonase”, thekson ai.
Sipas tij, zhvillimi i provimit në gjuhën maqedonase lidhet drejtpërdrejt me verifikimin e kësaj përgatitjeje gjuhësore dhe profesionale, duke pasur parasysh se procedurat dhe aktet zyrtare në sistemin e drejtësisë zhvillohen kryesisht në gjuhën maqedonase dhe me alfabet cirilik.
Filkov i referohet edhe nenit 7 të Kushtetutës, i cili përcakton maqedonishten si gjuhë zyrtare në gjithë territorin e shtetit, ndërsa përdorimi i gjuhëve të tjera lejohet sipas kushteve të përcaktuara me Kushtetutë dhe ligj. Ai thekson se Ligji për provimin e jurisprudencës nuk parashikon mundësi për dhënie të provimit në gjuhë tjetër.
Ministri kujton se për Ligjin për përdorimin e gjuhëve ka dhënë mendim edhe Komisioni i Venecias, ndërsa para Gjykatës Kushtetuese janë dorëzuar 13 iniciativa për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së tij.
“Teza se Ministria e Drejtësisë nuk ka argumente është e pasaktë dhe e motivuar politikisht. Argumentet janë të qarta – kushtetuese dhe ligjore”, thekson Filkovi.
Në fund të reagimit, Filkovi i drejtohet drejtpërdrejt zëvendëskryeministrit Bekim Sali, duke theksuar se Kushtetuta nuk duhet të përdoret për narrativë politike dhe se drejtësia nuk guxon të bëhet peng i agjendave.
“Kjo Qeveri synon të vendosë rend pas viteve të shpërbërjes institucionale, të zbatojë reforma dhe jo të prodhojë konflikte. Kush dëshiron politikë, le ta bëjë në zgjedhje; por kush mban funksion në shtet juridik, duhet të respektojë Kushtetutën dhe ligjet. Çdo gjë tjetër është presion – dhe nuk do të kalojë”, përfundon ai. (koha.mk)
