Lajme

Fenomeni i kafeneve në Shqipërinë e viteve ’30 – VIDEO

Një diskutim interesant bëhet te revista Java; një revistë ekonomike, letrare e shoqërore që publikohej nga gazetarja shqiptare Ikbale Çika. Në numrin 7 të revistës, të publikuar në majin e vitit 1937, publikohet një analizë e gazetarit dhe publicistit Aleks Mavraqi, ku me statistika tregohet se cila ishte situata e kafeneve në Shqipërinë e fundviteve ’30. “Në Shqipëri kemi gjithësej 879 kafe dhe pijetore. Shqipëria ka gjithsej 1 milionë e 16 mijë e 123 persona. Në shifrën e 879 që thamë mësipër, nuk përfshihen bakallëhanet e katundeve, të cilat për 90 % janë edhe ato kafe e pijetore. Sikur të llogariten edhe ato si disa nga tregëtoret e qyteteve që figurojnë si tregëtore gjanash ushqimi, por që në realitet janë pijetore, atëhere do të kemi një shifër afro 1500. Po ta bëjmë tashti një pjestim të vogël, duke pranuar se nga shifra 529 mijë të meshkujve që ka Shqipërija, dy të tretat janë burra që mosha e tyre u lejon të frekuentojnë këto qendra, do të shofim se çdo qendre të këtij lloji I bijnë 235 klienta! Në Tiranë kemi 138 kafe e pijetore dhe nja 20 dyqane të tjera, bakallëhane, restaurant etj-që japin pije. Pra gjithësej kemi 158. Tirana ka 12 mijë e 465 meshkuj gjithësej. Do të pranojë në se që të gjtihë shkojnë nëpër kafe-pijetoret, edhe foshnjat akoma. Këtë gjë e bëjmë që të jemi brenda në hesapet me qenë se në Tiranë na vijnë edhe vizitorë nga krahinat. Pra çdo kafe-pijetores i bijnë 78 klienta. Sikur t’i shifte këto shifra dhe këta rezulltate një evropjan dhe ca më tepër një amerikan, do të çuditesh dhe do të thoshte se Shqipërija, sidomos kryeqyteti i saj, është vend i dembelave, me qenë se kafenet nuk janë veçse qendra ku kalojnë kohën e tyre dembelat. Në Ingliterrë dhe n’ Amerikë që të gjejë njeriu një kafene, duhet të shëtisë gjithë ditën, këtu për çdo 10 metra ka edhe një kafene ose një pijetore, në mos i ke edhe të dyja sëbashku. Në Amerikë, jam në pozitë të dij se, kafenetë ishin qendra të panjohura dhe vetëm pasi filluan të emigrojnë atje shqiptarët dhe grekërit, u krijua profesioni i…kafexhiut. Të konstatojmë se kjo gjendje nuk është aspak e gëzuarshme dhe pra të propozojmë t’i mbyllim këto qendra? Këtë gjë ne s’kemi ndër mend t’a bëjmë, për të vetmen arsye se e dijmë mirë se po t’i heqish jetës shqiptare pijetoren dhe kafenenë, s’ka asnjë lezet”.

3sgIgLJ.png