Lajme

Fatmir Limani braktis Lëvizjen BESA, krijon parti të re!?

Liderët e koalicionit VLEN janë duke shqyrtuar propozimin e Zeqirija Ibrahimit për unifikimin e VLEN-it dhe mënyrën e bashkëpunimit. Kështu deklarojnë zyrtarisht nga koalicioni, një ditë pasi Ibrahimi njoftoi dorëheqjen nga drejtimi i Alternativës, duke lënë një propozim pas vetes që liderët e tjerë ta shqyrtojnë.

Nga VLEN nuk zbardhin më shumë detaje për përmbajtjen e propozimit të Ibrahimit. Ata thonë se koalicioni funksionin në mënyrë të shkëlqyer kurse largimin e Ibrahimit e shohin si proces demokratik.

“Koalicioni VLEN funksionon në formë të shkëlqyeshme, ashtu sikur ka funksionuar deri më sot, me kryesi qendrore, media qendër dhe kuadro të përbashkët. Ajo që tani është risi është zëvendësimi i njërit prej liderëve brenda Koalicionit VLEN, gjë që e shohim si një proces normal dhe demokratik, gjë që e karakterizon koalicionin tonë. Lidhur me propozimin e Zeqirija Ibrahimit, ai është në shqyrtim e sipër në koordinimin e liderëve dhe opinioni do të informohet për të gjitha zhvillimet që kanë të bëjnë me këtë temë”, thonë nga VLEN.

As Ibrahimi, në postimin e tij tejet të gjatë në rrjetet sociale, nuk tregon detaje të propozimit të tij për mënyrën se si duhet të funksionojë koalicioni në të ardhmen, si një strukturë e vetme politike. Ai tha se largimi i tij është për t’u hapur rrugë gjeneratave të reja kurse shtoi se VLEN-it i duhet një vizion i ri politik.

“… Duke besuar fuqishëm në unifikimin e VLEN-it, unë tashmë e kam ofruar një model të këtij bashkimi në tavolinën e liderëve dhe jam shumë optimist që ai do të pranohet… Pas kësaj përvoje në VLEN dhe përtej suksesit elektoral, tashmë kur VLEN-it i duhet një projekt i ri politik, një vizion i ri, një kauzë e re politike, një ridefinim i subjektivitetit politik të shqiptarëve, por edhe një lidership i ri, unë gjykoj se nuk mund të ofroj më shumë seç kam ofruar deri tash në këtë drejtim nga ky pozicion dhe prandaj dëshiroj që të jem shtegu për energjinë e re që e kërkon ky proces”, ka shkruar Zeqirija Ibrahimi.

Koalicioni kishte premtuar themelimin e një partia të vetme pas zgjedhjeve lokale. Tani pas zgjedhjeve nuk është përjashtuar mundësia që konkretizimi i këtij procesi edhe të shtyhet. Koordinimi mes palëve mësohet të jetë gjithmonë sfidues, duke qenë se secila nga strukturat brenda koalicionit, ulet në tavolinë me kërkesa të veçanta. Madje jozyrtarisht flitet edhe për krijimin e mundshëm të dy partive të reja brenda koalicionit, asaj të Arben Fetait dhe asaj të Fatmir Limanit. Këto zëra nuk janë konfirmuar nga vetë funkionarët. / Alsat/mk

3sgIgLJ.png