Më 11–12 qershor 2025, në Universitetin e Arteve në Tiranë u mbajt Konferenca e Parë Ndërkombëtare mbi Artet dhe Edukimin – ICAE 2025. Në këtë veprimtari morën pjesë hulumtues shkencorë nga lëmenj të ndryshëm si arti pamor, dizajni, muzika, teatri dhe pedagogjia, me synimin për të eksploruar rrugë të reja bashkëpunimi ndërdisiplinor dhe për të thelluar dialogun ndërkombëtar në fushën e arteve dhe të edukimit. Në konferencë, Fakulteti i Arteve i Universitetit të Tetovës u përfaqësua me dinjitet nga dy prodekanet të cilat kontribuuan me prezantime që pasqyrojnë orientimet bashkëkohore të kërkimit artistik.
Prof. Ord. Nora Halimi, prodekane për shkencë në Fakultetin e Arteve dhe njëkohësisht anëtare e bordit organizues të Konferencës së Parë Ndërkombëtare mbi Artet dhe Edukimin, ishte pjesë e panelit të sesionit të parë të arteve pamore. Ajo lexoi kumtesën me titull: “Konvergjenca e artit dhe dizajnit grafik: Një qasje ndërdisiplinore për të përfshirë diversitetin e artit pamor në edukimin e dizajnit grafik”, ku analizoi mënyrat me të cilat përvojat artistike dhe praktikat dizajnuese mund të ndërthuren për të nxitur një qasje më gjithëpërfshirëse dhe më kreative në procesin e edukimit të dizajnit grafik.
Prof. Dr. Jëlldëz Asani, prodekane për arsim në Fakultetin e Arteve, ishte pjesë e panelit të sesionit të tretë të arteve pamore dhe kontribuoi me kumtesën: “Tabutë dhe voajerizmi si (auto)censurë e trajtimit të trupit femëror në artet pamore shqiptare”, ku trajtoi qasjet kritike mbi përfaqësimin e trupit të femrës në artin shqiptar, duke nxjerrë në pah tensionet mes tabuve kulturore, censurës së brendshme dhe lirive shprehëse në krijimtarinë artistike bashkëkohore. Gjithashtu, profesoresha Jëlldëz Asani dhuroi dy botimet e saj më të fundit Bibliotekës Universitare, një akt që u konkretizua gjatë takimit me rektorin e Universitetit të Arteve të Tiranës, Prof. Dr. Erald Bakalli, si dhe zëvendësrektorin, Prof. Arian Paço.
Pjesëmarrja e dy profesoreshave në këtë tubim shkencor ndërkombëtar dëshmon përkushtimin e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës për të qenë pjesë aktive e zhvillimeve më të fundit akademike dhe artistike, si dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi me institucione nga rajoni dhe më gjerë.




