Lajme

Evropa shkon në luftë: 35 shtete vendosin të përballen me Rusinë, me ose pa Amerikën

Samiti i Volenterosëve në Paris vulos mbështetjen ushtarake për Ukrainën; Trump në një telefonatë ‘as mish e as peshk’, ndërsa Rusia godet me 112 dronë…

Europa u mblodh më 4 shtator 2025 në Paris, jo për një samit të zakonshëm diplomatik, por për një akt politik që po e çon kontinentin drejt përfshirjes së drejtpërdrejtë në konfliktin në Ukrainë.

Të quajtur “Volenterosët”, liderët e 35 vendeve perëndimore, përfshirë BE-në, SHBA-në, Britaninë, Kanadanë e të tjerë, bënë publike një strategji të re për ndihmë ushtarake dhe garanci të drejtpërdrejta sigurie për Kievin, me qëllim që Ukraina të mos mbetet më në ajër, ndërsa Rusia po e vazhdon ofensivën e saj të përgjakshme.

Në krye të tryezës ishin Emmanuel Macron dhe Keir Starmer, presidenti francez dhe kryeministri britanik, të cilët jo vetëm i dhanë tonin Samitit, por vendosën edhe një vijë të re ndarëse në politikën ndërkombëtare: Evropa nuk është më spektatore, por lojtar aktiv në një konflikt që po riformaton rendin global.

Për herë të parë, liderët evropianë folën për “forcë të përbashkët” dhe “angazhim të koordinuar ushtarak”, duke kaluar përtej simbolikës dhe deklaratave.

Zelensky, i pranishëm në sallë, nuk ishte më një lider në kërkim të ndihmës, por një pjesë qendrore i një grupimi që po transformohet në aleancë de facto ushtarake.

Ai deklaroi se “garancitë po kthehen në veprime konkrete”, duke përshëndetur propozimin për shtimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe armatimit të avancuar.

Gjermania, tradicionalisht hezituese, doli me një plan që përfshin rritjen e mbështetjes ushtarake për Ukrainën me 20% në vit, por me tre kushte të qarta: përfshirje amerikane, një ofertë për negociata nga Rusia dhe miratim nga Bundestagu. Në gjuhën diplomatike, kjo është një thirrje për ndërhyrje të koordinuar që s’ka më kohë për burokraci.

Nga ana tjetër, Rusia reagoi me gjuhë tipike të epokës sovjetike: paralajmëroi kundër çdo ndërhyrjeje perëndimore dhe goditi Harkivin dhe Odesën me 112 dronë iranianë Shahed, duke përçuar mesazhin e zakonshëm të forcës brutale. Por kësaj radhe, bota perëndimore nuk reagoi me dëshpërim. Përkundrazi, e përdori sulmin si dëshmi të domosdoshmërisë për t’i dhënë fund status quo-së.

Por mbase momenti më domethënës i ditës nuk ishte as fjalimi i Macron-it, as sulmi ajror mbi Ukrainë. Ishte telefonata me Donald Trump, zhvilluar në fund të samitit.

Presidenti amerikan është personi që mund ta bllokojë ose përshpejtojë përfshirjen perëndimore. Ai u përfshi me një deklaratë të dykuptimtë: premtoi angazhim për paqen, por pa artikuluar mbështetje të qartë për Ukrainën apo një vizion të qëndrueshëm për fundin e luftës. Ishte një telefonatë që nuk prodhoi as zgjidhje, as siguri, por vuri në pah faktin që Evropa po mëson të lëvizë edhe pa Amerikën në krye.

Nëse një ditë e vetme mund të shënojë një kthesë historike, 4 shtatori mund të jetë njëra prej tyre. Nuk u shpall zyrtarisht luftë, por gjithçka tjetër ndodhi: hartimi i një aleance të re, konfirmimi i një fronti të përbashkët, dhe përfshirja de facto e Perëndimit në një konflikt ku heshtja do të ishte bashkëfajësi. Lufta në Ukrainë nuk është më vetëm çështje ukrainase. Është përplasja e drejtpërdrejtë e dy botëve dhe më në fund, Evropa po merr anën e saj.

3sgIgLJ.png
KddZqn1.gif