Laura Dubois, David Djambazov, Chris Cook, Financial Times
Fabrikat e armëve në Evropë po zgjerojnë kapacitetet e tyre me një ritëm trefish më të shpejtë sesa në kohë paqeje, duke shtrirë ndërtimet në më shumë se 7 milionë metra katrorë hapësirë të re, që përfaqëson një ripajisje historike ushtarake.
Ndërtimet në këto vende të prodhimit të armëve në Evropë janë shtuar ndjeshëm që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, sipas një analize të Financial Times e bazuar në të dhënat nga radarët satelitorë që mbulojnë 150 objekte të lidhura me 37 kompani të ndryshme.
Të dhënat tregojnë se ringjallja e premtuar prej kohësh e industrisë së mbrojtjes në Evropë, e nxitur nga subvencionet publike, po bëhet realitet jo vetëm në fjalë apo në buxhetime, por edhe në beton dhe çelik.
Kjo ndodh ndërsa qeveritë e BE-së debatojnë mbi mënyrën për të siguruar furnizimet e armëve për Kyiv-in, si dhe për rindërtimin e rezervave të tyre, në një kohë kur SHBA-të mund të jenë duke rimenduar përkushtimin e tyre.
Duke përdorur më shumë se 1 mijë kalime të radarëve satelitorë Sentinel-1 të Agjencisë Evropiane të Hapësirës, Financial Times ka monitoruar ndryshimet në vendet e prodhimit të municionit dhe raketave — dy elemente kyçe që përbëjnë ngërçin kryesor në mbështetjen perëndimore për Ukrainën.
Sentinel-1 dërgon impulse radari dhe regjistron reflektimet e tyre, të cilat mund të zbulojnë ndryshime në sipërfaqe.
Të dhënat tregojnë se rreth një e treta e vendeve të analizuar kanë shfaqur shenja të zgjerimit apo ndërtimit të ri.
Shkalla dhe përhapja e këtyre punimeve tregon një ndryshim thelbësor në ripajisjen ushtarake, duke e kthyer Evropën nga prodhimi i përkohshëm në kohë paqeje drejt ndërtimit të një baze industriale për një situatë më të qëndrueshme lufte.
Zona me ndryshime në ndërtime është rritur nga 790 mijë metra katrorë në vitet 2020-21 në 2.8 milionë metra katrorë në vitet 2024-25, sipas analizës.
Fotografitë e vendeve konfirmojnë se ndryshimet lidhen me gërmime për ndërtim, ndërtime të reja, rrugë të reja dhe shtrime të asfaltit.
Një nga projektet më të mëdha është bashkëpunimi midis gjigantit gjerman Rheinmetall dhe kompanisë shtetërore hungareze N7 Holding, e cila ka ndërtuar një fabrikë të madhe për prodhimin e municionit dhe eksplozivëve në Várpalota, Hungari.
Fabrika e parë në këtë vend u përfundua në korrik 2024 dhe prodhon municion 30mm për mjetin luftarak KF41 Lynx të Rheinmetall.
Ndërtimet vazhdojnë pasi fabrika do të prodhojë edhe municione të tjera, duke përfshirë fishekë 155mm për artileri dhe municione 120mm për tankun Leopard 2 dhe potencialisht për Panther. Në këtë vend do të ndërtohet edhe një fabrikë eksplozivësh.
Radari është në gjendje të kapë ndryshime të imëta që janë të vështira për t’u parë në imazhe satelitore konvencionale.
Fabrikat e eksplozivëve kanë shpesh kodra të vogla toke për siguri, të cilat janë të vështira për t’u identifikuar në imazhet optike, si dhe shumë ndërtesa të vogla të shpërndara.
Analiza ka përfshirë 88 vende të lidhura me programin e BE-së “Act in Support of Ammunition Production” (ASAP), që ka investuar 500 milionë euro për të zgjidhur ngërçet në prodhimin e municionit dhe raketave. Projekte si Rheinmetall dhe Roxel kanë marrë mbështetje nga ASAP.
Ndërtimet e dukshme fizike janë parë në 20 vende të mbështetura nga ASAP, duke përfshirë fabrikat e reja dhe rrugët, ndërsa në 14 vende janë shënuar zgjerime më të vogla, si parkime të reja. Të tjerat janë zyra apo qendra kërkimore pa zgjerim të ndjeshëm.