Këto grupe kriminale ballkanike kanë dërguar emisarë në Amerikën e Jugut për të negociuar drejtpërdrejt me prodhuesit e kokainës (siç janë disidentët e FARC-ut ose Urabeños në Kolumbi) për të siguruar çmimin më të ulët të mundshëm me shumicë…
Një shqiptar, që posedonte dokumente ekuadoriane, është ekzekutuar pasditen e së dielës në Medellin (Kolumbi).
Ngjarja ndodhi në një rrugë ngjitur me qendrën tregtare Santa Fe në El Poblado, Komuna 14.
Mediat vendase raportojnë se viktima ishte një burrë që kishte në zotërim dokumente ekuadoriane, por ishte gjithashtu me kombësi shqiptare.
Ai raportoi gjithashtu se vrasësi, i cili po udhëtonte me motoçikletë, u kap në komunën e Bello-s, në veri të Luginës së Aburrá-s, ndërsa i është sekuestruar edhe arma e zjarrit e përdorur për të kryer vrasjen.

“Motivet dhe detajet e rastit po verifikohen aktualisht si pjesë e hetimit që po kryejnë autoritetet”, thanë autoritetet policore dhe të sigurisë.
Nga të shtënat me armë ka mbetur e plagosur edhe një grua, e cila shoqëronte shqiptarin.
Sipas raportimeve, emri i viktimës është Artur Tucci, 44 vjeç, i lindur në Shqipëri, por me një kartë identiteti ekuadoriane.
Hetimet e InSight Crime tregojnë se rrjetet shqiptare janë një lojtar kyç në trafikun e drogës në Amerikën Latine, duke përdorur Ekuadorin si bazë kryesore për operacionet e tyre transatlantike .
Këto grupe kriminale ballkanike kanë dërguar emisarë në Amerikën e Jugut për të negociuar drejtpërdrejt me prodhuesit e kokainës (siç janë disidentët e FARC-ut ose Urabeños në Kolumbi) për të siguruar çmimin më të ulët të mundshëm me shumicë.
Ky pozicionim strategjik i ka lejuar ata të bëhen përfitues të mëdhenj të bumit të prodhimit të kokainës në Amerikën Latine, duke e blerë drogën për afërsisht 2,000 deri në 4,000 dollarë amerikanë për kilogram dhe duke e rishitur atë në Evropë për 30,000 deri në 40,000 dollarë amerikanë.

Edhe pse shpesh quhen “mafia shqiptare”, ato janë rrjete të decentralizuara, si “Kompania Bello”, objektivi kryesor i të cilave në Ekuador është të negociojnë marrëveshje, të nënkontraktojnë dërgesat për grupet ekuadoriane dhe të pastrojnë para duke blerë kompani fasade eksporti dhe importi, veçanërisht në portin e Guayaquil.
Një rast shembullor është ai i Dritan Gjikës (i njohur ndryshe si “Tonny”), një trafikant shqiptar i cili u vendos në Ekuador në vitin 2009, duke u paraqitur si biznesmen dhe duke ndërtuar një perandori të fuqishme të trafikut të drogës.


