Ministria për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka thirrur në bisedë ambasadorin e Republikës së Bullgarisë në Shkup, Zheljasko Radukov, për të reaguar ndaj deklaratave të ministrit të jashtëm bullgar, Georg Georgiev, përcjell INA.
Georgiev, në një paraqitje në programin e mëngjesit në televizionin bullgar BTV, e kishte quajtur kryeministrin Hristijan Mickoski si “kryeministër maqedono-verior”, gjë që ka shkaktuar reagim zyrtar nga Shkupi.
Nga MPJ njoftojnë se ambasadorit Radukov i është dorëzuar protestë zyrtare dhe i është tërhequr vëmendja për “mospërshtatshmërinë e një diskursi të tillë publik nga një funksionar i lartë i qeverisë bullgare”.
“Deklaratat e tilla, të cilat përmbajnë gjuhë të papërshtatshme dhe nënçmojnë përfaqësuesit e një shteti sovran, përbëjnë shkelje të drejtpërdrejtë të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe të komunikimit diplomatik. Ato nuk kontribuojnë në përmirësimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe janë në kundërshtim me frymën e dialogut konstruktiv dhe respektit të ndërsjellë që duhet të udhëheqë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve”, thuhet në reagimin e MPJ-së.