Nga Prokuroria njoftojnë se bazuar në provat e siguruara përmes komunikimit në aplikacionin Sky, prokurori kompetent nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dhënë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër pesë personave, përcjell TV21. Prokuroria njofton se gjatë mëngjesit të sotëm janë kryer bastisje në tre lokacione, me ç’rast një person është ndaluar.
“Ekziston dyshim i bazuar se të dyshuarit, së bashku me persona të tjerë që tashmë kanë ndërruar jetë, në dy raste kanë organizuar furnizim të paautorizuar, transport dhe shitje të gjashtë kilogramëve të lëndës narkotike kokainë, nga Mbretëria e Holandës drejt Republikës së Maqedonisë së Veriut. Lënda narkotike ka qenë e destinuar për shitje të mëtejshme të paautorizuar brenda vendit. Gjatë ditës së sotme, i dyshuari i pestë, i cili është privuar nga liria, do të dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake dhe për të, prokuroria do të kërkojë masën e paraburgimit. E njëjta masë do të propozohet edhe për dy të dyshuar të tjerë, të pakapshëm për organet e ndjekjes, ndërsa për dy të tjerë, gjithashtu të pakapshëm, të cilët paraprakisht janë përfshirë në urdhrin për hetim në rastin “Gërçec”, masa e paraburgimit është caktuar dhe do të zbatohet pas gjetjes së tyre”, shtojnë nga Prokuroria.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se pesë personat dyshohen për veprat penale “prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”, ndërsa zbulojnë se personi i arrestuar gjatë ditës së sotme është F.K. (29) nga Shkupi.
“Në kuadër të analizës së të dhënave të marra nga Europol dhe OTF Limit, janë siguruar dëshmi për anëtarë të një grupi kriminal të organizuar, të cilët gjatë vitit 2020 dhe në fillim të vitit 2021 në dy raste kanë organizuar blerjen dhe transportin nga Holanda të gjashtë kilogramëve kokainë, e cila ishte e destinuar për shitje në tregun e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thonë nga MPB.
Nga Policia shtojnë se për personat e dyshuar, që për momentin janë të pakapshëm për organet e rendit, tashmë janë shpallur fletarrestime ndërkombëtare.