Lajme

Dy kongresmene amerikane letër Trump: Ndërmjetëso njohjen reciproke Kosovë–Serbi

Dy kongresmene të Kongresit amerikan, Claudia Tenney dhe Chrissy Houlahan, i janë drejtuar me një letër Presidentit Donald Trump, duke i kërkuar të ndërmjetësojë një marrëveshje për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Në letrën e publikuar nga vetë Tenney në rrjetet sociale, theksohet rëndësia e angazhimit amerikan për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe për stabilitetin e rajonit. “Tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit kanë krijuar efekte zinxhir në rajonin e Ballkanit, i cili mbetet i brishtë. Destabiliteti mund të shërbejë si pararendës për konflikte më të gjera globale”, thuhet në dokument.

Kongresmenet argumentojnë se Trump ka një “moment unik historik” për të mundësuar paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë. Ato sugjerojnë që ish-presidenti të përdorë influencën e tij dhe të marrë në konsideratë vizita në Prishtinë dhe Beograd në kuadër të përpjekjeve për ndërmjetësim.

“Një ujdi e mundshme paqeje dhe njohje reciproke do të krijojë kushtet për një Ballkan më të qëndrueshëm dhe paqësor”, theksohet në letrën e nënshkruar nga dy kongresmenet amerikane.

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png