Lajme

Durim strategjik apo manipulim, çfarë po ndodh me Donald Trump në Iran e Gaza?

Shkruar nga Jonathan Sacerdoti

SHBA ka përqëndruar gjysmën e fuqisë ajrore të dislokueshme pranë Iranit, ndërsa vijon negociatat; Hamasi refuzon çarmatosjen pavarësisht planeve për rindërtimin e Gazës

Gjysma e fuqisë ajrore të dislokueshme të Amerikës ndodhet brenda rrezes së goditjes ndaj Iranit, dhe megjithatë Uashingtoni po negocion. Gazës i premtohet një e ardhme e ndritshme, por Hamasi vazhdon të refuzojë çarmatosjen.

A është ky durim strategjik, apo dëshmi se presidenti i SHBA-së është keqinformuar rrezikshëm, duke u dhënë hapësirë kundërshtarëve që po blejnë kohë?

Dy grupe sulmuese të aeroplanmbajtëseve amerikane ndodhen në Mesdheun lindor dhe në Gjirin Persik. Avionë luftarakë tokësorë po rotacionohen në Jordani dhe në shtetet e Gjirit. Bombardues me rreze të gjatë janë ripozicionuar. Analistët vlerësojnë se rreth 40–50 për qind e fuqisë ajrore të dislokueshme të Amerikës është tani e përqendruar në Lindjen e Mesme, një nivel i krahasueshëm me grumbullimin para Luftës së Gjirit në vitin 1991 dhe pushtimit të Irakut në vitin 2003. Shkalla duket e ngjashme, edhe pse mungojnë forcat tokësore.

Në det, USS Gerald R. Ford dhe USS Abraham Lincoln drejtojnë dy grupe të plota sulmuese. Ky është një pozicionim i projektuar për kalim të shpejtë nga parandalimi në sulm. Megjithatë, Uashingtoni po negocion me regjimin e Republikës Islamike, ndërkohë që ai ka vrarë dhjetëra mijëra qytetarë të vet dhe po përshpejton prodhimin e më shumë raketave balistike si dhe rifillimin e aktivitetit bërthamor.

Në Oman, burime tregojnë se Ali Larijani, sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, pritet në Muskat për të dorëzuar përgjigjen e Teheranit ndaj një propozimi amerikan. Diplomacia në prapaskenë vazhdon. Dje, India këshilloi qytetarët e saj të largohen menjëherë nga Irani. Në rrjete qarkulluan video nga Teherani që shfaqnin shpërthime pranë infrastrukturës energjetike.

Mediat opozitare iraniane raportojnë se një rrjet celular është hakuar dhe janë dërguar mesazhe masive me përmbajtjen: “Popullit iranian të nënshtruar ndaj shtypjes, presidenti amerikan është një njeri veprimi.”

Bota po pret të shohë nëse kjo është koreografi para kompromisit apo prelud i luftës.

Njëkohësisht, në Gaza po zhvillohet një dramë tjetër. Presidenti organizoi javën e kaluar një tjetër spektakël të Bordit të Paqes, duke paraqitur sërish një vizion për Gazën e rindërtuar si një qendër bregdetare moderne, me kulla që ngrihen aty ku sot ka rrënoja, me investime dhe infrastrukturë që zëvendësojnë tunelet dhe sundimin islamist. Premisa është e thjeshtë: Hamasi duhet të çmilitarizohet. Armët të dorëzohen, strukturat komanduese të shpërbëhen, Gaza të shndërrohet nga vatër terrori në qytet. Por Hamasi vazhdon të refuzojë.

Këto janë dy dilemat. Programi bërthamor dhe raketor i Iranit në njërën anë; refuzimi i Hamasit për t’u çarmatosur në anën tjetër. Në të dyja rastet, kritikët pyesin nëse administrata po mbahet pezull, e tërhequr në procese të ndërlikuara diplomatike ndërsa kundërshtarët e Amerikës fitojnë kohë. Në të dyja rastet, disa sugjerojnë se Shtëpia e Bardhë po ushqen iluzione: që Teherani do të heqë dorë vullnetarisht nga dekada investimesh bërthamore, apo që Hamasi do të shpërbëhet në këmbim të rindërtimit urban. Por ky interpretim mund të mos kapë atë që po ndodh realisht.

Donald Trump së fundmi publikoi një video të Mark Levin, i cili mbajti një monolog të ashpër në Fox News. Levin ironizoi idenë e një transformimi iranian: dorëzim bërthamor, çmontim raketash, moderim ideologjik. Ai renditi historikun e Iranit për rritje graduale të pasurimit të uraniumit, tejkalim të kufijve të rezervave, vendosje centrifugash të avancuara, kufizime të monitorimit dhe njoftime zyrtare për ndërprerje angazhimesh. Përfundimi i tij ishte i qartë: një regjim që e përkufizon veten përmes rezistencës dhe një misioni teologjik apokaliptik nuk zbutet përmes negociatave. Duke e shpërndarë këtë argument në rrjetet sociale, udhëheqësi i njohur për përdorimin e mediave sociale sinjalizoi se e kupton rrezikun e iluzioneve, të paktën kështu shpreson autori.

Çdo optimizëm rreth iniciativave të fundit diplomatike amerikane mbështetet në një tension strukturor. Ai përfaqëson përplasjen mes dy koncepteve për kohën dhe pushtetin. Nga këndvështrimi i Uashingtonit, armët bërthamore sjellin sanksione, izolim dhe rrezik të hakmarrjes dërrmuese. Heqja dorë prej tyre ofron stabilizim ekonomik dhe riintegrim. Kjo është logjikë racionale dhe transaksionale, ku stimujt dhe ndëshkimet formësojnë sjelljen.

Llogaritja e Teheranit është ndryshe. Ali Khamenei, në pushtet që nga viti 1989 dhe tashmë në të tetëdhjetat, drejton një sistem që vlerëson qëndrueshmërinë. Regjimi ka mbijetuar luftë, sanksione, protesta dhe kundërshtime të brendshme.

Ai shtypi demonstrata masive dhe përballoi koston reputacionale. Një ekonomi e dobët nuk cenon thelbin e tij ideologjik. Kapaciteti bërthamor është simboli dhe mburoja e tij. Ai mishëron qëndrueshmëri, sfidë dhe pretendim për epërsi rajonale. Sakrifica paraqitet si virtyt. Vonesa si strategji.

E njëjta asimetri formëson Hamasin. Demokracitë perëndimore funksionojnë sipas cikleve zgjedhore dhe tolerancës publike. Fushatat ushtarake analizohen, viktimat debatohen, kostot fiskale llogariten. Hamasi flet në terma brezash. Lufta nuk është episod, por mision. Shkatërrimi taktik përfshihet në narrativë. Çmilitarizimi do të shpërbënte identitetin e tij.

Sistemet autoritare, qoftë diktatura dinastike apo regjime teokratike, llogarisin ndryshe nga qeveritë e zgjedhura. Udhëheqës si Kim Jong-un i Koresë së Veriut nuk përballen me votues apo humbje zgjedhore. Ata mendojnë në terma ideologjikë dhe në dekada e shekuj. Imperativi i tyre kryesor është mbijetesa e regjimit, dhe mbijetesa e strukturës sunduese shpesh justifikon privime të jashtëzakonshme në vend. Rreziku përthithet ndryshe. Ndëshkimi ekonomik që do të paralizonte një qeveri demokratike mund të përballohet, të riinterpretohet, madje të përdoret si armë. Lëshimet janë taktike; koha elastike; marrëveshjet instrumente, jo përfundime. Samitet e profilit të lartë të Trumpit me Phenianin tregojnë se diplomacia personale dhe spektakli nuk prodhojnë domosdoshmërisht ndryshim strukturor.

Dislokimet masive ushtarake nuk mund të qëndrojnë pafundësisht pa pasoja. Asetet tërhiqen nga teatro të tjera dhe ndikojnë në gatishmërinë diku tjetër. Në një moment, forcat ose tërhiqen dukshëm, ose përdoren. Teherani e kupton këtë. Zvarritja e negociatave dhe ofrimi i lëshimeve të pjesshme që mbajnë gjallë bisedimet mund të blejnë kohë dhe potencialisht të detyrojnë një de-përshkallëzim gradual amerikan. Një proces i zgjatur diplomatik e zbeh presionin e menjëhershëm. Edhe Uashingtoni e kupton këtë dinamikë.

Duke vendosur në tryezë propozime gjithëpërfshirëse dhe publike, administrata krijon një provë. Nëse Irani ofron një rrugë serioze për pasurimin dhe raketat, diplomacia fiton përmbajtje. Nëse refuzon, siç ka shumë gjasa, refuzimi dokumentohet. Nëse Hamasi refuzon çmilitarizimin edhe në këmbim të rindërtimit të Gazës, përgjegjësia bëhet e qartë.

Kjo mund të përmblidhet si doktrina Trump. Forca pa ofertë paraprake mund të paraqitet si agresion. Forca pas një oferte të refuzuar mbart peshë tjetër në narrativë. Asgjë nga kjo nuk garanton përmbajtje. Khamenei mund të gjykojë se goditje të kufizuara amerikane ose izraelite janë të përballueshme dhe se mbijetesa e regjimit përkthehet në fitore të deklaruar. Ai mund të besojë se një kompromis i pjesshëm shërben si shpërqendrim, ose se qëndrimi në pushtet edhe pas bombardimeve amerikane përbën triumf. Hamasi mund të llogarisë se mbijetesa mes rrënojave forcon legjitimitetin e tij. Të dyja palët mund të kenë të drejtë. /Përshtatur nga The Spectator/

3sgIgLJ.png