Në rrjetet sociale pasditen e sotme është shfaqur një video e drejtorit të Klinikës së Neurologjisë, Igor Kuzmanovski, në të cilën shihet, sipas pretendimeve, duke konsumuar një sasi të madhe kokaine.
Në video, Kuzmanovski flet për cilësinë e “mallit”, si dhe për dilerët, për të cilët pretendon se “di shumë mirë si të sillet me ta”.
Në postimin e faqes së Facebook-ut “Koçi Micko” shkruhet:
“Igor Kuzmanovski, drejtor i Neurologjisë, shok i Mickoskit. Thith vetëm të bardhë të pastër, nëse është e përzier, e kthen mbrapsht! Hajde shpërndajeni masivisht ta bëjmë të njohur. Turp!”
Disa orë më vonë, Ministria e Shëndetësisë informoi se ministri Azir Aliu sot ka marrë vendim për shkarkimin e drejtorit të Klinikës Universitare për Neurologji, prof. dr. Igor Kuzmanovski.
Në një afat sa më të shkurtër do të emërohet drejtor i ri, në përputhje me procedurat ligjore. Puna në Klinikë vazhdon pa pengesa.
Ndryshe, Kuzmanovski është anëtar i njohur i VMRO-DPMNE-së, i cili disa herë ka mbajtur konferenca për shtyp në emër të partisë.