Lajme

“Drejtësi”, thirrja që çoi në këmbë Hagën – VIDEO

Mijëra shqiptarë u mblodhën të dielën në Hagë të Holandës për të protestuar kundër Gjykatës Speciale dhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Me kërkesa për drejtësi, me flamuj kuqezi e parulla “Për UÇK-në”, ata shprehën pakënaqësinë ndaj procesit që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Fatmir Koci ish-pjesëtar i UÇK dhe bashkëorganizator i kësaj proteste gjatë fjalimit të tij, ka thënë se po përballen me “një padrejtësi të pafalshme që vazhdon të shkatërrojë jetët e atyre që sakrifikuan gjithçka për ne”.

“Shteti serb i cili ka bërë krime të tmerrshme gjatë periudhës së luftës, ka shkatërruar jetët e shumë qytetarëve të pafajshëm, nuk ka dhënë asnjë llogari ata që kanë vrarë, dëbuar, dhunuar dhe shkatërruar. Ata sot janë të lirë, të paprekur dhe ende mbrohen nga regjimi serb. Ata nuk janë hetuar nuk janë  ndjekur dhe nuk janë dënuar për krimet që kanë kryer”, ka thënë Koci.

Kritika pati edhe për Qeverinë e Kosovës, të drejtuar nga Albin Kurti.

“Qeveria e Kosovës ka heshtur, ka lënë pas dore të drejtat e atyre që luftuan për këtë shtet, ka lënë të kalojë padrejtësia pa asnjë lloj reagimi. Ky është një turp i madh për çdo qeveri që thotë se është për drejtësi dhe lirinë e qytetarëve të saj”, shtoi ai.

Ndërsa, Hysni Gucati, kryetar i OVL-UÇK-së, deklaroi se Evropa nuk duhet të lejojë që drejtësia të shndërrohet në instrument politik.

“Bota demokratike  nuk mund t’i mbyll para një padrejtësie kaq të madhe. Historia nuk duhet të shkruhet me aktakuza, por me të vërtetat e luftës tonë”, pohoi Gucati.

Ai pati edhe një thirrje për ndërkombëtarët.

“Mos e ndëshkoni Kosovën për lirinë e saj, mos e gjykoni çlirimtarët si kriminelë, ndërsa kriminelët e vërtetë të Serbisë sot gëzojnë lirinë e tyre”, potencoi ai, duke shtuar se drejtësia duhet të jetë e njëjtë për të gjithë jo vetëm për shqiptarët jo vetëm për UÇK-në.

Fjalim në protestën kundër Gjykatës Speciale mbajti edhe ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch.

Ai tregoi se gjatë kohës kur shërbente si ambasador në Kosovë kishte mbështetur themelimin e Speciales, por më vonë doli kundër saj duke kritikuar mënyrën se si po zhvillohej procesi gjyqësor.

Bosch deklaroi se përfaqësuesit ndërkombëtarë kishin kërkuar presion për krijimin e kësaj gjykate, por ai vetë nuk e kishte përkrahur idenë, sepse i dukej e pakuptimtë të mos akuzoheshin serbët.

“Më kujtohet një takim me Thaçin, i cili dukej pak i shqetësuar. I thashë se nëse nuk ka prova, do të ishte i lirë. Por doli se isha gabim, sepse gjyqi nuk rezultoi aq serioz sa prisja,” tha Bosch.

Ai shtoi se edhe hetimi i Clint Williamson konfirmoi se raporti i Dick Marty-t ishte i manipuluar nga serbët.

“Gjyqtarët në Gjykatën Speciale këtu jetojnë mirë, kanë paga të mira dhe dëshirojnë që procesi të zgjasë shumë. Tashmë ata kanë arritur në përfundimin se UÇK-ja është një organizatë kriminale. Kjo është totalisht e gabuar, dhe dua t’ju shpjegoj pse”.

“Në vitin 1999, unë isha pika kontakti për Ministrinë e Jashtme dhe Mbrojtjes, dhe kisha përgjegjësi të përmbledhja çfarë po diskutohej në NATO. Çdo mëngjes raportonim se UÇK-ja ishte ‘çizmet e NATO-s në terren’ – pra, vepronim së bashku. Të quash UÇK-në një organizatë kriminale, ndërkohë që bashkëpunon me NATO-n, është një ofendim edhe për NATO-n, sepse NATO nuk bashkëpunon me organizata kriminale”, theksoi ai.

Protesta në Hagë u mbajt pas asaj në Prishtinë më 7 gusht, ku dhjetëra mijëra qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare u mblodhën për të kundërshtuar Gjykatën Speciale, e në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.

Ndryshe, të hënën, në Hagë nisin dëshminë dëshmitarët e mbrojtjes. Ish-diplomati amerikan, James Rubin, do të jetë i pari që do të jap dëshminë në gjykatore.

Që nga 5 nëntori i 2020-së, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.

3sgIgLJ.png
KddZqn1.gif