Askush nuk mund të garantojë se do t’i japë fund luftës ose do ta lehtësojë krizën ekonomike që ajo ka prodhuar…
Strategjia e Donald Trump ndaj Iranit i ngjan motit në shtetin e tij të lindjes, Florida: nëse nuk të pëlqen, mjafton të presësh 5 minuta. Të premten, presidenti deklaroi se lufta mund të jetë drejt “përfundimit”.
Ai pohoi se synimet ushtarake në përgjithësi janë përmbushur dhe nuk u shfaq i shqetësuar nga bllokimi i vazhdueshëm i Ngushticës së Hormuzit prej Iranit, me arsyetimin se Amerika nuk e “përdor” këtë rrugë ujore.
Por toni i tij pajtues zgjati vetëm deri të shtunën, kur ai i dha Iranit një afat prej 48 orësh për të rihapur ngushticën: nëse nuk bindej, ai paralajmëroi se “Amerika do të godasë dhe do të shkatërrojë termocentralet e tyre të ndryshme, duke nisur me më të madhin”.
Kaq mjaftoi për të turbulluar mendjet e të gjithëve. Mbështetësit e Trump këmbëngulin se kjo gjimnastikë retorike është pjesë e planit: presidenti po i mban opsionet e tij të hapura dhe po e mban Iranin në gatishmëri.
Megjithatë, për pothuajse të gjithë të tjerët është e qartë se SHBA-ja hyri në këtë luftë me një strategji të gabuar, duke filluar me dështimin për të parashikuar se Irani do ta mbyllte ngushticën.
Ndërsa luftimet kanë hyrë në javën e katërt, Trump ka 4 opsione se si të vazhdojë: ai mund të flasë, të largohet, të vazhdojë të njëjtin kurs ose të përshkallëzojë situatën. Nëse ai nuk ka zgjedhur ende njërën prej tyre, kjo ndodh sepse asnjëra nuk është e mirë.
1. Të rikthehet tek bisedimet
Një numër gjithnjë e më i paktë diplomatësh mendojnë ende se Amerika dhe Irani mund të negociojnë një armëpushim. Megjithatë, ky duket opsioni më pak i mundshëm, duke pasur parasysh pengesat për të ulur palët në tryezë.
I sulmuar dy herë gjatë bisedimeve me Amerikën, Irani është kuptueshëm ngurrues për një raund tjetër. Udhëheqja e tij është në kaos. Udhëheqësi i ri suprem, Mojtaba Khamenei, nuk është parë në publik që kur mori detyrën më 9 mars.
Amerika mund të pyesë me të drejtë veten nëse ndonjë bashkëbisedues iranian flet vërtet në emër të regjimit. Edhe zgjedhja e ndërmjetësit është e ndërlikuar. Omani ndërmjetësoi dy raundet e mëparshme, por i ka zemëruar fqinjët e tij të Gjirit me qëndrimin pozitiv ndaj Iranit gjatë gjithë luftës.
Ata do të këmbëngulnin për një ndërmjetës alternativ (Katari duket pretendenti më i mundshëm). Një marrëveshje që shkëmben lehtësimin e sanksioneve me kufizime në programin bërthamor të Iranit nuk do të mjaftonte. SHBA-ja do të hynte në çdo bisedim me kërkesa maksimaliste.
Ajo dëshiron që Irani të pranojë kufizime të rrepta në programin e tij të raketave dhe të ndërpresë mbështetjen për milicitë arabe. Nga ana tjetër, Irani ka listën e vet të dëshirave, e cila përfshin dëmshpërblime lufte dhe mbylljen e bazave ushtarake amerikane në rajon. Për momentin, asnjëra palë nuk është në “humor” për të bërë lëshime.
2. Të largohet tani duke shpallur një lloj fitoreje
Nëse nuk mund ta përfundojë luftën me një marrëveshje, Trump mund të përpiqet ta përfundojë atë thjesht duke u larguar. Disa nga këshilltarët e tij po e nxisin presidentin të shpallë fitoren.
Ai mund të deklarojë, pa dyshim me disa zbukurime, se aftësitë ushtarake të Iranit janë shkatërruar, se marina e tij është fundosur dhe fabrikat e raketave janë shndërruar në rrënoja.
Ky do të ishte opsioni tipik i stilit “Trump”: shitja e një fushate të paqëndrueshme si një fitore vendimtare.
Ai e bëri këtë edhe në qershor 2025, kur pretendoi se programi bërthamor i Iranit ishte “zhdukur” nga sulmet amerikane – ndonëse 8 muaj më vonë e përshkroi të njëjtin program
si kërcënim. Ai mund të shqetësohet se këtë herë votuesit do të jenë më të vështirë për t’u bindur.
Çmimet e naftës në SHBA janë rritur tashmë me 34 për qind brenda një muaji. Por pjesa dërrmuese e bazës së tij republikane e mbështet ende luftën, dhe përfundimi i saj tani do
t’i jepte krizës 7 muaj kohë për t’u zbutur para zgjedhjeve të mesit të mandatit në nëntor. Megjithatë, probleme të tjera mbeten të pazgjidhshme. Irani do të kishte ende rreth 400 kg uranium të pasuruar në nivelin 60 për qind dhe një vendosmëri të re për ta shndërruar atë në bombë bërthamore. Po ashtu, kjo do ta mbyllte luftën me një bllokim të plotë të Ngushticës së Hormuzit.
3. Të vazhdojë kursin aktual
Një mundësi e tretë është vazhdimi i kursit. SHBA-ja dhe Izraeli mund të vijojnë edhe për disa javë me sulmet e tyre ajrore. Shumë zyrtarë izraelitë e preferojnë këtë mundësi. Shefi i ushtrisë deklaroi se fushata do të vazhdojë gjatë gjithë festës së Pashkës, e cila përfundon më 9 prill.
Numri i sulmeve iraniane me raketa dhe dronë ndaj Izraelit dhe shteteve të Gjirit ka rënë
nga gati 1.000 në ditën e parë të luftës, në një mesatare prej më pak se 100 në ditë tani. Mbështetësit e kësaj politike në Uashington argumentojnë se disa javë të tjera sulmesh do
ta ulnin edhe më shumë këtë numër, ose ndoshta do të shkaktonin rrëzimin e regjimit. Ndërkohë, Amerika do të kishte kohë të dërgonte më shumë anije luftarake në rajon dhe të punonte për ndërtimin e një koalicioni që do të siguronte shoqërimin e anijeve përmes ngushticës.
Sidoqoftë, s’ka asnjë garanci se kjo do të funksionojë. Ky është një bast i rrezikshëm. Për sa kohë që Irani mund të vazhdojë sulmet sporadike ndaj anijeve, ai mund ta mbajë të mbyllur ngushticën dhe t’i mohojë fitoren Trumpit.
Ndërkaq, ai mund të shkaktojë dëme edhe diku tjetër. Më 21 mars, dy raketa balistike që goditën Izraelin Jugor plagosën mbi 160 persona, pasi sistemet e mbrojtjes dështuan t’i kapnin. Kostot ekonomike do të rriteshin dhe sulmet e vazhdueshme do të pakësonin furnizimin me interceptorë të mbrojtjes ajrore për Izraelin dhe vendet e Gjirit.
4. Të përshkallëzojë më tej luftën
Ky është opsioni i fundit, “përshkallëzim për të çtensionuar”, siç e përshkroi së fundmi Sekretari i Thesarit, Scott Bessent. Trump mund të zbatojë kërcënimin e tij për të goditur termocentralet e Iranit.
Ai mund të urdhërojë marinsat të kryejnë zbarkime amfibe për të pushtuar ishullin Kharg (terminali kryesor i naftës) ose tre ishuj strategjikë pranë ngushticës që diskutohen mes Iranit dhe Emirateve. Por përshkallëzimi bart shumë rreziqe.
Marinsat që do të pushtojnë ishujt duhet t’i mbajnë ato nën sulmet e rregullta me dronë. Një bastisje në objektet bërthamore do të kërkonte që komandot të mbronin territorin armiqësor për ditë të tëra. Shtetet e Gjirit do të përballeshin me rrezik edhe më të madh, pasi Irani ka kërcënuar të godasë impiantet e tyre të ujit dhe energjisë nëse SHBA-ja godet rrjetin e tij elektrik.
Sulmi iranian mbi impiantin e gazit (LNG) të Katarit më 18 mars shkaktoi dëme aq të mëdha sa 3 për qind e furnizimit botëror mund të jetë jashtë funksionit për 5 vjet.
Në përfundim, asnjë nga këto opsione nuk garanton mbylljen e luftës. Presidenti mund të shpallë fitoren, por nëse Irani e mban ngushticën të mbyllur, ai vetëm sa e ka zgjatur bllokimin. Përshkallëzimi nuk është qëllim në vete. Çfarë do të bëjë Amerika me ishullin Kharg nëse Irani refuzon sërish bisedimet?
Duke e nisur këtë luftë, Donald Trump nuk ka lënë asnjë shteg të lehtë se si ta përfundojë atë./Pamfleti nga “The Economist”

