Shkruar nga Giulia Belardelli
ga Grenlanda në Venezuelë, ambasadori Ettore Sequi analizon tronditjet gjeopolitike, ndarjen e mundshme të Perëndimit dhe betejën për burimet strategjike.
Në karrierën e tij të gjatë diplomatike, Ettore Sequi ka shërbyer në Iran, Afganistan, Shqipëri dhe SHBA. Ai ka shërbyer si ambasador në Kinë dhe shef i stafit të disa ministrave të jashtëm, si dhe sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme. Për HuffPost, ai komenton mbi trazirat në marrëdhëniet ndërkombëtare që po dëshmojmë pas operacionit të SHBA-së në Venezuelë dhe kërcënimeve ndaj Grenlandës, ndërsa vazhdon shtytja për një kompromis në Ukrainë.
Orët e fundit, Departamenti Amerikan i Shtetit ndau një përmbledhje të programit të tij: “Kjo është hemisfera jonë dhe presidenti Trump nuk do të lejojë që të kërcënohet siguria e SHBA-së”. A do të thotë kjo se ai ka vendosur tashmë që Grenlanda është e tija?
Trumpi e kishte bërë të qartë synimin e tij ndaj Grenlandës që në fillim të presidencës, por pak njerëz e morën seriozisht. Pas Venezuelës, kërcënimi u bë i besueshëm. Rrethanat janë të ndryshme. Në Venezuelë pati një operacion policor ekstraterritorial për të arrestuar një trafikant droge, ndërsa në Grenlandë s’ka trafikantë droge.
Fija e përbashkët është e ndryshme: Trumpi i konsideron të dyja si qendrore për sigurinë kombëtare amerikane, të cilën ai e trajton si një aset jetik. Nga këtu buron ideja se, për të mbrojtur një aset jetik, ekziston një e drejtë kontrolli, e ushtrueshme brenda një perimetri amerikan “të zgjeruar”. Ky është amerikanizimi i juridiksionit, i përmbledhur në ekuacionin: siguria kombëtare = aset jetik = e drejtë kontrolli.
Mbi çfarë e bazon Trumpi këtë ekuacion?
Ai e justifikon këtë ekuacion duke përdorur tri leva. E para është siguria në Arktik: mbrojtja nga raketat dhe rrugët detare të Arktikut. E dyta janë tokat dhe burimet e rralla, thelbësore në luftën kundër Kinës. E treta është delegjitimimi i aleatëve, të konsideruar si të paaftë për të garantuar sigurinë e Grenlandës.
Shakaja “e slitës me qen” është një poshtërim simbolik. Ajo bart një vizion të qartë gjeostrategjik: Trumpi e dëshiron Grenlandën me çdo kusht, për ndikim ose kontroll të drejtpërdrejtë. Kur hyn në lojë siguria kombëtare, sovraniteti i të tjerëve bëhet i kushtëzuar, i pezullueshëm ose i negociueshëm, gjë që jep të drejtën e kontrollit. Është amerikanizimi i një problemi të huaj, i cili kthehet në një problem të brendshëm.
Edhe për Putinin, sovraniteti i Ukrainës ishte një detaj në ndjekjen e sigurisë kombëtare ruse…
Po, edhe pse Putini përdor një kornizë historiko-kulturore që nuk ekziston fare. Por për të dy, sovraniteti i tjetrit është i ndryshueshëm ose të paktën i anulueshëm.
Në një deklaratë të përbashkët, udhëheqësit kryesorë evropianë deklaruan se “siguria e Arktikut duhet të sigurohet kolektivisht, në bashkëpunim me aleatët e NATO-s, duke respektuar parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara”. Janë thjesht fjalë boshe?
Deklarata synon t’i sigurojë amerikanët se siguria e Grenlandës dhe Arktikut është thelbësore edhe për evropianët. Ajo që bie në sy është nevoja për të përsëritur koncepte si sovraniteti, integriteti territorial dhe paprekshmëria e kufijve. Kjo sinjalizon brishtësinë tonë. Pastaj ekziston dyshimi se Shtetet e Bashkuara duan të negociojnë drejtpërdrejt me Grenlandën, duke marrë në konsideratë një marrëveshje asociimi që anashkalon sovranitetin danez.
Pse Trumpi është i pakënaqur me forcimin e sigurisë së Grenlandës brenda NATO-s?
NATO s’ka qenë asnjëherë tërheqëse për Trumpin, sepse është një organizatë shumëpalëshe. Sipas logjikës së tij, siguria e Grenlandës nuk mund të ndahet, sepse është çështje e sigurisë kombëtare amerikane.
Të bllokuar midis Trumpit, Putinit dhe Xi-së, çfarë mund të bëjnë evropianët përtej deklaratave?
Mesazhi që po i dërgohet Evropës është shumë i thjeshtë: përshpejtoni autonominë strategjike dhe aftësitë mbrojtëse autonome. Ajo që e kishim kuptuar tashmë – ndarja progresive midis sigurisë evropiane dhe asaj amerikane – po shpallet tani hapur. Ka edhe një mesazh tjetër themelor, drejtuar Kinës dhe Rusisë.
Cili?
Që Perëndimi mund të jetë i ndarë dhe se rregullat e brendshme të NATO-s nuk janë më aq të sigurta sa dukeshin dikur. Ky është një faktor i rëndësishëm, veçanërisht ndërsa përpiqemi të bëjmë përparim në negociatat për luftën në Ukrainë.
Çfarë ndikimi ka e gjithë kjo në debatin rreth përfundimit të luftës në Ukrainë?
In Paris, në takimin e “Koalicionit të të Gatshmëve”, u diskutua një marrëveshje shumëpalëshe mbi garancitë e sigurisë, ndoshta e shoqëruar nga një marrëveshje dypalëshe midis Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara në lidhje me mundësinë e një angazhimi konkret amerikan, për të arritur shpejt një samit trilateral, duke supozuar se Putini është i gatshëm. Çështja është se ekziston një shqetësim në rritje se siguria amerikane po ndahet nga ajo evropiane, dhe rasti i Grenlandës vetëm sa i shton këto shqetësime.
Trumpi njoftoi se ”autoritetet kalimtare në Venezuelë do të furnizojnë SHBA-në me 30 deri në 50 milionë fuçi naftë”. A do ta administrojë vërtet Trump këtë vend?
Kërkesat e Trumpit për 30-50 milionë fuçi e bëjnë të qartë këtë pikë: Venezuela rrezikon të jetë një vend me sovranitet të administruar nga të tjerët. Nuk do të përjetojë pushtim ushtarak, por një kontroll të imponuar të politikës ekonomike dhe energjetike.
Nëse një superfuqi mund të arrestojë një kryetar shteti, të vendosë një bllokadë detare dhe të nxjerrë burime sovrane “në emër të popullit”, ligji ndërkombëtar nuk zhduket, por bëhet opsional. Është e njëjta logjikë që lidh Venezuelën dhe Groenlandën: asetet strategjike mbizotërojnë mbi rregullat.
Çfarë u ka munguar analizave që kemi lexuar deri më tani rreth operacionit amerikan në Venezuelë?
Që tani amerikanët kanë një mundësi më të madhe për të ndikuar në çmimet e naftës, e në këtë mënyrë të dëmtojnë rusët, por edhe kinezët. Jo vetëm kaq, por ata kanë aftësinë të ndikojnë mbi regjimin kuban, kundër të cilit nuk duhet të imagjinojmë një operacion nate për të larguar presidentin, por më tepër një presion energjetik, sepse tani Uashingtoni kontrollon sistemin energjetik të Venezuelës.
Pra, qëllimi nuk është një disfatë ushtarake, por një “asfiksim energjetik” i Kubës. Këto çështje janë të gjitha të ndërthurura. Dhe në qendër janë gjithmonë ato: metalet e rralla. Të gjitha analizat për Venezuelën janë përqendruar në aspektin e naftës, por nuk duhet të harrojmë se Amerika Latine përfshin edhe “trekëndëshin e litiumit” (Argjentina, Kili dhe Bolivia), i cili përbën deri në 60 për qind të rezervave botërore, me një prani të fortë kineze. Kjo shpjegon përcaktimin e sferës së ndikimit të Amerikës, nga veriu në jug, duke kaluar përmes Panamasë.
Çfarë problemesh paraqet kontrolli amerikan mbi Venezuelën për Kinën dhe Rusinë?
Si për Kinën, ashtu edhe për Rusinë, operacioni amerikan në Venezuelë paraqet probleme taktike. Kinezët, përveçse kanë (ashtu si rusët) aksione në sektorin e naftës venezueliane, krenohen edhe me kredi (të ashtuquajturat “naftë për kredi”, d.m.th. kredi të siguruara me naftën si garanci). Pekini sheh rrezikun e humbjes së parave dhe ndikimit, ashtu si Moska sheh dobësimin e pranisë së saj të fortë gjeopolitike në rajon.
Çështja e shlyerjes së borxhit, për të cilën Pekini tashmë ka mobilizuar ekipe avokatësh, shtrihet shumë përtej Venezuelës. Nëse pranohet parimi se borxhet mund të mos paguhen sa herë që kinezët dëbohen nga një zonë, është e qartë se në rrezik është edhe “Rruga e Re e Mëndafshit”. Në Amerikën Latine, kinezët kanë kontrata me disa vende, siç është Kili (për litiumin dhe bakrin). Mundësia e dëbimit gradual nga Amerika Latine është një problem gjeopolitik dhe gjeoekonomik për ta.
Si po reagon Pekini?
Në aspektin e narrativës, kinezët po përpiqen të realizojnë dy gjëra. Ata po e krahasojnë modelin e tyre “ne investojmë” me atë amerikan “ne ndërhyjmë”, për të mbetur tërheqës për vendet që tani janë të shqetësuara për “metodën Trump”. Pastaj është çështja e Tajvanit, e cila për momentin është e kufizuar në mediat sociale kineze.
Ajo që njerëzit po thonë është: nëse amerikanët vepruan kështu në Venezuelë, kush mund të na fajësojë nëse ne bëjmë të njëjtën gjë në Tajvan? Në realitet, teza sipas së cilës SHBA-ja ka legalizuar ndarjen e botës në sfera ndikimi është një vizion disi mekanik.
Kur flasim për sfera ndikimi, ndeshim dy probleme. Së pari: duhet të marrim parasysh edhe vendet “e vogla” që nuk mund të përshtaten domosdoshmërisht (Ukraina, për shembull, po përpiqet të shmangë gëlltitjen nga sfera e ndikimit të Rusisë).
Së dyti: në çdo rast, ka vija fërkimi midis sferave të ndikimit; nuk është e sigurt që gjithçka do të shkojë gjithmonë mirë. Për shembull: do të ishte e dyshimtë që SHBA-ja t’u linte dorë të lirë kinezëve në Tajvan. Kjo për dy arsye: së pari, për çështjen e njohur të mikroprocesorëve dhe së dyti, sepse Tajvani përfaqëson një pengesë gjeografike dhe gjeopolitike për aspiratat e Kinës për t’u bërë një fuqi oqeanike./ ”Huffington Post Italia”
